Që nga 19 korriku i vitit 2019, kur qeveria e kaluar mori titullin e qeverisë në largim, shpenzimet e realizuara vetëm për udhëtime, mëditje, dreka e darka dhe karburante, arrijnë vlerën në mbi 159 mijë euro.
Në këtë shumë hyjnë shpenzimet e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe të 11 ish-ministrave, nga gjithsej 21 sa kishte qeveria e kaluar.
Më 19 korrik, 2019, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Dorëheqja e tij pasoi ftesën që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku ishte ftuar për një intervistë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Radio Evropa e Lirë, më datë 14 janar 2020, duke shfrytëzuar Ligjin nr. 06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar përgjigje nga të gjitha ministritë e qeverisë së kaluar për shpenzimet gjatë periudhës së qeverisë në dorëheqje.
Gjatë kësaj periudhe sa kishte cilësinë e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, për udhëtime, mëditje, bileta, akomodim e derivate ka shpenzuar mbi 13 mijë euro, kurse për dy ceremoni shtetërore janë shpenzuar 88 mijë euro.
Në dokumentet e siguruara nga REL, nuk ka shpjegime se për çfarë ceremonish bëhet fjalë. Në total i bie që kryeministri në largim, nga 19 korriku, 2019 deri më 20.01.2020, ka shpenzuar nga 101, 414 mijë euro.
Gjatë kësaj periudhe kohore, këto janë shpenzimet e regjistruara nga REL të ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës:
- Valdrin Lluka, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, (për periudhën korrik –dhjetor) ka shpenzuar 10,468 mijë euro.
- Rrustem Berisha, ish-ministër i Mbrojtjes (korrik–dhjetor) 5,715 euro.
- Bedri Hamza, ish-ministër i Financave (korrik–dhjetor) 7,257 euro.
- Uran Ismaili, ish-ministër i Shëndetësisë (20.07.2019 –14.01. 2020) 2,442 euro.
- Kujtim Gashi, ish-ministër i Kulturës (20.07.2019–14.01.2020) 640 euro.
- Muzafer Shala, ish-ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrëse (korrik–dhjetor) 4,593 euro.
- Ekrem Mustafa, ish-ministër i Punëve të Brendshme (korrik–dhjetor) 10,544 euro.
- Adrijana Hoxhiq, ish-ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal (korrik–dhjetor) 1,606 euro.
- Mahir Yagcilar, ish-ministër i Administratës Publike (20.07.2019–14.01.2019) 3,813 euro.
- Rasim Demiri, ish-ministër i Zhvillimit Rajonal ( 20.07.2019–26.12.2019) 4, 973 euro.
- Fatmir Matoshi, ish-ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (korrik–dhjetor) 5,723 euro.
Të dhënat janë konfirmuar nga vetë ministritë e përmendura. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga të gjitha ministritë e qeverisë së kaluar.
Përgjigje nuk kanë kthyer këta ministra:
- Behgjet Pacolli, ish-ministër i Punëve të Jashtme.
- Dalibor Jevtiq, ish-ministër për Kthim dhe Komunitete.
- Dardan Gashi, ish-ministër i Diasporës.
- Pal Lekaj, ish-ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.
- Dhurata Hoxha, ish-ministre e Integrimit Evropian.
- Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë.
- Skënder Reçica, ish-ministër i Punëve dhe Mirëqenies Sociale.
- Shyqiri Bytyqi, ish-ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
- Endrit Shala, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.
- Dijana Zhiviq, ish-ministre e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Disa nga këta ministra janë zotuar se në ditët në vazhdim do t’i kthejnë përgjigjet, kurse të tjerat nuk janë lajmëruar fare.
Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të lartë shumën e shpenzimeve, pasi sipas tyre, qeveria ka qenë në largim dhe një pjesë të kompetencave nuk ka pasur mundësi t’i ushtrojë.
Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu, dyshon se vlera më e madhe është shpenzuar për karaburante dhe dreka, qoftë para apo gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.
“Dyshimi ekziston se ish-ministrat, por edhe ish-kryeministri (Ramush Haradinaj) kanë përdorur veturat zyrtare në takimet që kanë zhvilluar para fushatës apo edhe gjatë fushatës, pasi që kjo periudhë e përfshin para-fushatën dhe fushatën zgjedhore. Përveç veturave zyrtare, këta zyrtarë kanë shpenzuar para nga buxheti i Kosovës edhe për dreka dhe darka, të cilat janë shumë të kushtueshme”, tha Demhasaj.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të konfirmojë nëse ka pasur keqpërdorime në shpenzime nga ish përbërja e qeverisë. Në shtator të vitit të kaluar, në kohën kur partitë politike kishin hyrë në fushatë parazgjedhore, shoqëria civile kishte ngritur shqetësimet edhe atëbotë për keqpërdorimin e veturave zyrtare në fushatë.
Udhëtimet zyrtare, drekat dhe darkat zyrtare, si edhe shpenzimet tjera janë të përcaktuara në bazë të një udhëzimi administrativ 2004) 07 për udhëtimet zyrtare.