Ende nuk është bërë e qartë se si zyrtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca ka arritur ta nxjerrë armën nga kasaforta e stacionit policor, pasi ajo ishte pjesë e stafit civil dhe këta të fundit nuk mbajnë armë. Gazeta Express sjellë detaje të reja të bisedës që policja kishte bërë me tezën e saj pasi kishte vrarë familjarët e më pas edhe veten.
Personat e fundit që Valdete Bllaca i kishte parë në pasditen e së martës kishin qenë tezja e saj me bashkëshortin. Kontakti me ta kishte ndodhur vetëm disa minuta përpara se ajo ta shkrepte armën drejt vetes, pasi i kishte vrarë familjarët.
Gazeta Express nga burimet brenda familjes Bllaca merr vesh se tezja e polices me bashkëshortin e saj, në ditën tragjike kishin shkuar për vizitë te familja Bllaca, mirëpo te dera i kishte pritur Valdetja duke mos i lënë të hynin brenda.
“U ka thënë Valdetja se familja e saj nuk janë aty dhe se ajo ishte e zënë e nuk mund t’i pranonte brenda”, thuhet në përgjigjen që një pjesëtar i familjes të së ndjerëve i tha Gazetës Express.
Tezja me bashkëshortin ishin përshëndetur dhe në rrugë për tu larguar nga shtëpia ata kishin dëgjuar krismat e disa plumbave që Valdete Bllaca i kishte shtënë mbi vetën e saj.
“Janë shokuar. Tezja e saj është në gjendje shoku. Nuk e dimë se përse Valdetja e bëri këtë veprim. Familja kanë qenë familje për t’i pasur lakmi”, i tha gazetës në kushte anonimiteti ky familjar i të ndjerëve.
Si kishte arritur Policja ta nxjerrë nga stacioni armën e sekuestruar?
Valdete Bllaca, ish-zyrtare e Policisë së Kosovës e cila vrau dy vëllezërit dhe prindërit, ka pasur probleme mendore. Ajo ka një kohë të gjatë që ishte diagnostikuar me probleme të tilla.
Madje mjekët e që janë marrë me të, siç mëson Express, i kanë përshkruar asaj terapi si dhe i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës që ta sistemojnë atë në një pozitë zyrtare por pa uniformë. Në rekomandim mjekët kishin sugjeruar që asaj t’i merrej edhe arma.
Por, edhe pse arma i ishte marrë kësaj zyrtareje policore, dyshimet janë se vrasja mund të jetë kryer me armën e saj zyrtare e cila nuk është dashur që të ishte në dispozicionin e saj.
Ende askush nuk po e di se si arma ka mundur që të përfundojë në dorën e Valdete Ballcës. Ajo dyshohet se e ka tërhequr atë nga kasaforta ku ishte e vendosur në stacionin policor.
Gazeta Express gjatë gjithë ditës ka provuar që të marrë ndonjë përgjigje nga ana e organeve të hetuesisë rreth këtyre dyshimeve. Mirëpo asnjëri nga ta nuk kanë dashur që të komentojnë mbi rastin duke thënë se po i vazhdojnë hetimet.
E motivet për gjithë këtë ngjarje të rëndë që dje e tronditi Gjilanin ende nuk janë bërë të qarta. Ajo cka dihet deri më tani është se Valdete Bllaca ish-zyrtare e Policisë së Kosovës vra katër anëtarët e familjes së saj, babain, nënën, dhe dy vëllëzërit.
Sipas informatave të Gazetës, njëri nga vëllezërit Bllaca dyshohet se u vra në dhomën e gjumit në katin e dytë të shtëpisë ku jetonin familja Bllaca. Ai, aty u gjet pa shenja jete. Tjetri djalë i familjes Bllaca, u gjet i shtrirë në korridorin e shtëpisë.
Ndërkohë që njollat e gjakut kishin përfshirë thuajse të gjithë shtëpinë. Krimin e rëndë, policja e Kosovës, Valdete Bllaca dyshohet se e vazhdoi në dhomën e ndejës, aty sipas burimeve gjendej babai i saj 70-vjeçar, të cilin e vrau e bija.
E vdekur në ambientet e kuzhinës së shtëpisë u gjet edhe nëna e Valdetes, 64-vjeçare.
Por, Valdete Bllaca pas vrasjes së katër anëtarëve të familjes, kishte qënduar për disa orë afër kufomave të tyre. Më pastaj brenda derës hyrëse të shtëpisë së saj, ajo dyshohet se i dha fund jetës së saj.
Për gjithë rastin i cili ende po hetohet, për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë suspenduar për 72 orë katër punonjësit e Policisë së Kosovës, me arsyetim se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare në rastin e tragjedisë së Gjilanit, ku vdiqën pesë veta të familjes Bllaca. Policët e suspenduar janë Alban Ramushi – komandant, Naser Rrahmani – zëvendës komandant, Negovan Mihaljovic- shef operative si dhe Xhavit Azizi- staf civil.
Ndërkaq, Autopsia e trupave pritet të përfundojë sot. Për ceremoninë e varrimit pritet të vendoset brenda ditës së sotme.