Letra e shprehjes së interesit për autostrada dhe letra e shprehjes së interesit për hekurudha me të cilat Kosova dhe Serbia shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin me BE-në pritet të nënshkruhen paraditen e sotme, para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Gjermani, Richard Grenell, njëkohësisht edhe i dërguari i Presidentit amerikan Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë letrat me të cilat shprehin gatishmërinë për hapjen e rrugëve që janë pjesë e korridoreve hekurudhore e rrugor që lidhin kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me njëri tjetrin dhe tutje me Evropën.
Para një muaji, palët kanë nënshkruar nga një letër të shprehjes së interesit për hapjen e korridorit ajror në mes të Prishtinës dhe Beogradit.