Dy ditë para seancës së Kuvendit për formimin e qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje.
Burime të afërta me këto parti i kanë thënë KTV-së se Glauk Konjufca do të japë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit dhe se ai do të marrë një post të lartë qeveritar.
E për vendin e lënë bosh nga Konjufca, pritet që të propozohet dhe votohet nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani.
Të dielën pritet që këto dy parti t’i mbledhin organet e tyre drejtuese, për ta miratuar marrëveshjen.
Burimet kanë treguar se çështja e presidentit do të diskutohet ndërmjet partive kur t’i përfundojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi.
Ndërsa, gjatë paradites të së shtunës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka takuar disa anëtarë të Kryesisë së partisë së tij.
Pas këtij takimi, nënkryetari Lufti Haziri, u shpreh optimist për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.
Pasdite, KTV-ja ka parë duke dalë nga Kuvendi i Kosovës nënkryetaren e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ishe e shoqëruar nga deputetët Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala.
Televizioni ka provuar të kuptojë arsyen e prezencës së tyre në objektin e Legjislativit, por këta zyrtarë kanë qenë të paqasshëm.
Ndërsa, gjatë ditës, thirrje për ta nënshkruar marrëveshjen ka bërë edhe kryetari i Vushtrrisë nga LDK-ja, Xhafer Tahiri, i cili ka thënë se një koalicion VV-LDK, sikur në komunën e tij, duhet të ndodhë edhe në nivel qendror.
Lëvizje ka pasur edhe te Lëvizja Vetëvendosje. I propozuari i kësaj partie për ministër të Jashtëm, Blerim Reka, është parë duke hyrë në selinë e VV-së.
Kjo marrëveshje për bashkëqeverisje vjen më shumë se një muaj nga konstituimi i Kuvendit, i cili i ka hapur rrugë votimit për formimin e qeverisë. /Koha/