Vetëm tre inspektorë i kontrollojnë mishtoret e thertoret në Kosovë

Një raport i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) mbi cilësinë e ushqimit në Kosovë ka hedhur dritë mbi parregullsitë në sektorin e ushqimit dhe mungesën e kontrolleve adekuate nga institucionet shtetërore.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) mbulon procesin e inspektimit të para therjeve gjatë therjes dhe pas therjes së kafshëve në thertoret e licencuara.

Por auditorët e shtetit gjeten se përveç thertoreve të licencuara, në Kosovë kryhen edhe therje në tregje të pa licencuara (ilegale) të cilat nuk i plotësojnë kushtet për therje të kafshëve.

Reklama e sponzorizuar

“Këto tregje nuk kontrollohen as nga agjencia dhe as nga komunat”, thuhet në raportin “Siguria e Ushqimit Rast studimi: produktet e mishit dhe të grurit”, të hartuar nga ZKA, i cili u publikua në dhjetor 2019.

Auditori ka analizuar dokumentet e AUV për dy qytete: Mitrovicë dhe Gjilan. Gjetjet janë shqetësuese sa i përket kontrolleve që inspektorët e AUV duhet t’i kryejnë gjatë vitit nëpër thertore e fabrika të mishit.

Kështu, në sektorin e veterinarisë janë të punësuar vetëm tre inspektorë që kryejnë inspektime në thertore dhe mishtore.

Sektori i Inspektoratit Veterinar në kuadër të AUV harton raporte mujore dhe vjetore. Gjatë analizës së raporteve të kontrolleve të fabrikave të përpunimit të mishit për rajonin e Mitrovicës për vitet 2018 dhe 2019 del se kontrollet zyrtare të bazuara në planin nacional bëhen vetëm në katër muaj të vitit.

Po ashtu, edhe në regjionin e Gjilanit kontrollet zyrtare janë kryer vetëm në tremujorin e parë dhe të fundit të vitit. Pjesa tjetër e vitit nuk është e mbuluar me kontrolle.

Auditori konstaton se më bazë të procesverbaleve mund të kuptohet se kontrollet kanë ndodhur gjatë muajve shkurt, qershor, korrik, gusht, shtator dhe nëntor.

“Mosshtrirja e kontrolleve përgjatë gjithë vitit rritë rrezikun për qarkullimin e produkteve të dëmshme për shëndetin e njeriut”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/