95.99 për qind e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar pro marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në.
Sipas një njoftimi të VV-së, baza e kësaj partie ka votuar direkt për koalicionin me LDK-në, duke i thënë po bashkëqeverisjes me partinë e Isa Mustafës.
Kundër koalicionit ishin 3.64 për qind e votuesve. 0.37 për qind ishin vota të pavlefshme.
“Ky rezultat dëshmon për vullnetin e madh e të palëkundur drejt ndryshimeve të domosdoshme në qeverisjen e vendit, në përputhje me besimin e dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 6 tetorit”, thuhet në njoftimin e VV-së.
Të hënën pritet që Albin Kurti, kryetar i VV-së, në seancën plenare të Kuvendit të prezantojë emrat e ministrave të propozuar për të udhëhequr vendin. Qeveria Kurti do të ketë 15 ministri, me nga gjashtë për VV-në e LDK-në dhe tri për minoritetet.