Zëvendësministri në Qeverinë Kurti premton sigurim shëndetësor për Policinë brenda muajsh

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Policia duhet të ketë sigurim shëndetësor dhe është çështje muajsh kur do të dalin me veprime konkrete rreth kësaj.

Ai ka insistuar se Policët nuk duhet të lihen në mëshirën e rasteve.

“Jo se ekziston mundësia, por detyrimisht do të bëhet sigurimi shëndetësor. Ata nuk duhet të lihen në mëshirën e rastit. Ka shumë raste kur ata janë lënduar në detyre dhe më pas kanë qenë në mëshirën e sindikatës”, ka thënë Sveçla.

Reklama e sponzorizuar

Tutje ai ka thënë se MPB-ja ka vullnetin për të punuar më tepër në këtë çështje, por varet edhe nga Ministria e Financave.

“Normalisht se është edhe çështje e Ministrisë së Financave, por mund të them se vullneti i MPB-së për të arritur këtë nuk do të mungojë. Nuk mund të flasë për afate konkrete, por është çështje muajsh kur ne do të dalim me vendime të këtilla”, ka thënë ai.