Zëvendës ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Avni Zogiani, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se kryeministri i Kosovës ende nuk është njoftuar për dy marrëveshjet e ambasadorit të Amerikës në Gjermani, Richard Grenell.
Zogiani pretendon se letrat e marrëveshjes kanë shkuar vetëm te presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
“Kryeministri Kurti ende nuk është njoftuar për të dyja marrëveshjet e ambasadorit Grenell që u bënë në Munih të Gjermanisë. Letrat e marrëveshjes kanë shkuar vetëm te presidenti Thaçi”, është shprehur Zogiani.
Tutje Zogiani ka thënë se ftesa e Kurtit për takim me Thaçin ka për qëllim arritjen e një politike të përbashkët. Ai ka shtuar se VV nuk e ka në plan shkarkimin e presidentit, por do të presë përfundimin e mandatit të tij.
“Shkarkimi i Presidentit nuk ka qenë në agjendë dhe as nuk është futur ndërkohë. Për shkarkimin e tij duhet të kalohen disa procese juridike të njohura tanimë në të cilat ne nuk kemi dorë”, është shprehur Zogiani.