Ende nuk dihet nëse Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, meqenëse nga zyra e tij, thonë se ende s’kanë ndonjë vendim.
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, kishte emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të posaçëm për bisedimet e paqes mes Kosovës e Serbisë.
Megjithëse mbanë atë pozitë, tash presidenti Trump e ka emëruar edhe ushtrues detyre të drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.
Grupi Koha ka kontaktuar zëdhënësin e Grenellit, Dick Custin, për të kuptuar nëse ai do të vazhdojë t’i mbajë pozitat që ka, apo lidhur me dialogun Kosovë-Serbi do të emërohet dikush tjetër, por ai ka thënë se “fatkeqësisht”, nuk është marrë ende ndonjë veprim rreth kësaj çështjeje.
Çka ka bërë Custin, është veçse një referencë në njoftimin e presidentit Trump, për emërimin e postit të ri për Grenellin.
“Jam i lumtur t’ju njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Ricki ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe unë mezi pres të punojë me të. Do të doja të falënderoja Joe Maguire, për punën e mrekullueshme që ai ka bërë, dhe mezi presim të punojmë me të nga afër, mbase në një kapacitet tjetër brenda Administratës”, kishte njoftuar Trumpi.
Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.
Grenelli, kohët e fundit është i zëshëm në heqjen e taksës kundër Serbisë, në mënyrë që të rifillojë sa më parë dialogu.