2.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian (IPA), sipas të gjitha gjasave nuk do të derdhen në buxhetin e shtetit, siç parashihej. Krejt kjo për shkak të neglizhencës së treguar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2019-të.
Krejt çka duhej të bëhej për marrjen e këtyre fondeve ishte miratimi i një koncept-dokumenti, por i njëjti priti me muaj të tërë për miratim në sirtarët e Qeverisë.
“Një fond prej 2,4 milionë euro të Programit IPA nuk ka kaluar në qeveri me muaj të tërë, ku rrjedhimisht rrezikohet Kosova dhe institucionet e saj të humbjes së këtyre fondeve, meqë jemi në vonesë për ndërmarrjen e veprimeve në nivel qeveritar për miratimin e një koncept dokumenti i cili do të parasheh qoftë ndonjë dokument ligjor apo dokument strategjik i cili do të rregullojë lehtësimin e barrës administrative”, thuhet në raportin e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) i hartuar pas ardhjes së Blerim Rekës në krye të kësaj ministrie.
Raporti nuk e specifikon se për çfarë dokumenti bëhet fjalë.
Ndërkaq, për shkak të dështimit të institucioneve kosovare në zbatimin e reformave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), në buxhetin e shtetit nuk do të derdhen as 400 mijë euro tjera të parapara për vitin 2019.
“Më lejoni të ju njoftoj se me këtë nivel të zbatimit të Programit të MSA-së gjatë vitit të kaluar nuk është arritur të përmbushet treguesi 1 i Kontratës së Instrumentit të ParaAnëtarësimit IPA II për Mbështetje Direkte Buxhetore për Reformën e Administratës Publike, sipas të cilit Kosova kishte marrë përsipër të zbatonte të paktën 70% të këtij Programi gjatë vitit 2019. Rrjedhimisht, nuk është përmbushur kriteri për të pranuar mbështetje financiare nga fondet IPA, në shumën prej 400,000 euro”, thuhet në raportin e MIE.
Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (PKZMSA) për vitin 2019 ka paraparë 401 reforma konkrete (masa afatshkurtra), respektivisht 160 ligje e akte nënligjore dhe 241 reforma për zbatim të obligimeve të MSA-së.
Mirëpo, shkalla e përgjithshme e zbatimit të Programit gjatë vitit 2019 ishte vetëm 50.87 për qind, pasi janë zbatuar 204 nga 401 masa, ndërsa 197 (49.13%) masa nuk kanë arritur të zbatohen.
“Më hollësisht, nga 58 projektligje të planifikuara Qeveria ka miratuar vetëm 11 prej tyre, ose 18.97% e tyre, ndërsa pjesa tjetër prej 47 projektligje (81.03%) nuk janë miratuar. Marrë në tërësi pjesën e masave legjislative, gjithsej janë miratuar 59 nga 160 akte normative, ose 36.88% e tyre, ndërsa 101 akte, ose 63.13% e tyre, nuk kanë arritur të miratohen”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/