Aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe dhunimit gjatë luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër të pandehurit Z.V. për vepër penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” dhe “dhunimit gjatë luftës në Kosovë”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri Z.V. si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë luftës në Kosovë, më 22 maj 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, në territorin e komunës së Vushtrrisë, ka marr pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare, kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe, me përdorimin e dhunës e veprimeve të tjera çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual, si pjesë e një sulmi të gjerë dhe sistematik ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar. Me këto veprime i pandehuri Z.V. në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë, ka kryer vepër penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6, dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.