BE: Jemi të vetmit lehtësues në dialogun Beograd-Prishtinë

Brukseli do të jetë kryeqendra e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit dhe ai do të ndërmjetësohet nga Miroslav Lajçak, i cili do të caktohet përfaqësues special i BE-së për dialog dhe për Ballkanin Perëndimor, kanë thënë zyrtarë të Bashkimit Evropian. Por ata kanë shtuar se mirëpresin çdo angazhim nga partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Në kohën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka rritur dozën e kritikave ndaj Brukselit, duke mos ia njohur as rolin e ndërmjetësit, shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, i ka mirëpritur veprimet e kryeministrit Albin Kurti për taksën, dhe e ka mbështetur atë për udhëheqës të dialogut me Serbinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë Borrelli e ka bërë nëpërmjet një letre dërguar Kurtit, në krye të së cilës thotë se është i kënaqur që marrëdhënien me BE-në e ka vënë si punë kryesore.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo përputhet mirë me qasjen prioritare të BE-së ndaj të gjithë rajonit, përfshirë Kosovën. Ngjashëm, unë e mirëpres synimin tuaj në vazhdimin e reformave të domosdoshme që ta shtyni përpara sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë në Kosovë; këto janë elemente kyç për të ardhmen tuaj”, ka shkruar Borrell të enjten. Ai më tej ka shprehur besimin se Kurti do t’i udhëheqë negociatat në dialog në mënyrë gjithëpërfshirëse.