BQK: Pagesa e kësteve pezullohet vetëm për kredimarrësit me vështirësi financiare

Të gjithë ata kredimarrës që kanë hasur vështirësi financiare, duhet të kontaktojnë bankat e tyre me qëllim të pezullimit të pagesave të kësteve të kredisë.

Kështu thotë Banka Qendrore e Kosovës në vendimin për t’i pezulluar pagesat e kësteve pas gjendjes së krijuar nga pandemia e Coronavirusit në vend.

“Kredimarrësit që janë në pa mundësi për pagesë të këstit të kredisë do të mund të mos e paguajnë këstin e tyre nga data 16 mars 2020 deri më datë 30 prill 2020. Secili kredimarrës që është në pamundësi për pagesë të këstit në periudhën si më sipër duhet të bëjë kërkesë te kredi dhënësi për një gjë të tillë përmes adresës elektronike apo përmes telefonit, dhe kërkesat e tilla do të aprovohen”, thotë BQK, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Institucioni më i lartë financiar në vend, thotë se këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar.

Sipas BQK-së, afati i llogaritjes së kredisë do të shtyhet për një muaj.

Këstet e papaguara do të jenë subjekt i pagesës pas kalimit të situatës së krijuar, që nënkupton që afati i maturimit të kredisë do të shtyhet gjithashtu për një muaj! I inkurajojmë të gjithë kredimarrësit që këtë të drejtë ta shfrytëzojnë në mënyrë racionale meqë funksionimi efikas i sistemit financiar është jetik dhe esencial në rrethanat të cilat po kalon vendi”, njofton BQK.

Në fund, BQK thotë se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive.

Lidhur me këtë, bankat komerciale në vend kanë njoftuar se nuk do të aplikojnë interes shtesë për këtë periudhë të shtyerjes së kredive.

Sapo të pranohet kërkesa juaj, periudha e maturimit të kredisë suaj do të zgjatet për 3 muaj, ndërsa për këtë periudhë nuk do të aplikohet interes shtesë (interesi për tre muaj të shtyerjes së kësteve paguhet në muajin e katërt)”, njofton Raiffeisen Bank, përcjell Telegrafi.

Kurse në njoftimin e bankës Procredit thuhet se, “pagesa e interesit të rregullt për muajt që kërkoni shtyerje do të ngarkohet në këstin e parë pas përfundimit të periudhës së shtyrjes, ndërsa, pagesa e kryegjesë të kësteve të shtyera do të ngarkohet në këstet e ardhshme të kredisë”.

Edhe TEB Bank njofton se do ta aplikoj vetëm interesin e rregullt.

“Për periudhën e pauzimit (një ose dy muaj) të kredisë, TEB nuk do të aplikon interes ndëshkues. Po ashtu, për periudhën e njejtë të pauzimit (një ose dy muaj) të kredisë, TEB nuk do të aplikon provizione shtesë, por vetem interes të rregullt, i cili do të paguhet në muajin e parë pas periudhës se pauzimit kurse në muajin vijues, klienti do të fillojë me pagesë të kësteve të rregullta”, njofton banka TEB.