Apeli i mikrobiologut Lul Raka: Rrini në shtëpi, fitorja është e sigurt

Mikrobiologu Lul Raka është shprehur se Kosova dje ka marrë një lajm fantastik, të ardhjes së 7 mijë testeve të reja për coronavirusin.

Raka, përmes një psotimi në Facebook, ka thënë se tashmë në laboratorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Pubkike të Kosovës, brenda ditës mund të testohen 200 deri në 300 raste të reja.

Reklama e sponzorizuar

Ai bën thirrje që kosovarët të vazhdojnë që të qëndrojnë brenda shtëpive të ryre.

“Nëse rrini në shtëpi- Fitorja është e sigurtë! Nëse nuk respektoni këshillat- do të qëndroni shumë më gjatë të mbyllur. RRI N’SHPI!”, thotë ai.

“Ardhja e 7000 testeve për COVID-19 në Kosovë është lajm fantastik. Tani duhet të testojmë 200-300 njerëz në ditë! Testimi laboratorik i saktë dhe në kohën e duhur është komponentë thelbësore e menaxhimit të COVID-19 dhe mungesa e testeve dhe reagjentëve e pengon përgjigjen ndaj epidemisë”, ka deklaruar Raka.

Tutje mikrobiologu kosovar ka deklaruar se pacientët të cilët kanë infeksione të rënda respiratorë akute duhet të kenë përparësi në bërjen e testit.

“KUSH DUHET TË TESTOHET PËR COVID-19 (PRIORITETET SIPAS RRADHËS):

• Pacientët e shtruar në spital që kanë infeksion të rëndë respirator akut.

• Pacientët me infeksion akut respirator në shtëpitë e pleqve dhe në komunitet.

• Stafi shëndetësor që ka çfarëdo simptoma, por edhe ata që nuk kanë fare simptoma dhe punojnë në institucionet ku pasur raste të punëtorëve shëndetsorë me COVID-19.

• Të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike (sëmundja e mushkërive, kanceri, sëmundja e zemrës, sëmundja cerebrovaskulare, sëmundja e veshkave, mëlçisë, hipertensioni, diabeti dhe personat me imunitet të komprometuar) që shfaqin shenja të sëmundjes akute të frymëmarrjes. Këta njerëz mund të kenë nevojë më herët për mbështetje të frymëmarrjes (respirator).

• Kontaktet e afërta të rasteve me COVID-19 të vërtetuar, të cilët kanë simptoma. Nëse ka mundësi duhet të testohen edhe kontaktet asimptomatike të një rasti me COVID-19, të cilët kanë pasur ekspozim me rrezik të lartë.

• Në fund, mbase edhe deputetët e Kosovës dhe stafi administrativ, për shkak të qëndrimit prej afër 12 orësh në objekt të mbyllur. Maskat dhe dorëzat i kanë pasur, por nuk e dijmë si janë sjellur gjatë pauzave të bukës dhe kafes”, ka shkruar ai.

Në Kosovë deri më tani nga testimet e bëra kanë rezultuar 91 persona të infektuar me coronavirus.