Gjendje e jashtëzakonshme në Itali, shumë kosovarë që jetojnë atje tentojnë të kthehen

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, ka treguar se në çfarë gjendje është aktualisht Italia e cila po përballet me shpërthimin e jashtëzakonshëm të koronavirusit – që tashmë ka marrë mijëra jetë njerëzish.

“Italia është në një gjendje të jashtëzakonshme. Bëhet fjalë për një krizë të rëndë shëndetësore – të paparë ndonjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore – sociale dhe ekonomike. Pasojat besoj se po shihen çdo ditë, mediat po raportojnë për numrin e madh të të infektuarve dhe mbi të gjitha për numrin e madh të atyre që po e humbin jetën si pasojë e koronavirusit”.

“Është krizë shumë dimensionale pasojat e së cilës do të vazhdojnë. Kjo është java, që siç thojnë mediat dhe autoritetet qeveritare, ka shpërthimin më të madh në shifra të kësaj sëmundje ngjitëse. Masat jashtëzakonisht restriktive që ka marrë qeveria italiane pritet që ta japin efektin nga java tjetër, pra do të shihet nëse do të ketë zvogëlim të rasteve të të infektuarve – që është esenciale dhe pritet të vijë nga ky izolim i jashtëzakonshëm që është bërë nga jugu në veri”.

Reklama e sponzorizuar

Lama në Specialen e Klan Kosovës ka thënë se ka shumë kosovarë që ndodhen në afërsi të zonave ku është shpërthimi më ti madh i pandemisë Covid-19.

“Natyrisht që për shkak të eksperiencës së mëparshme e di që shqiptarët e Kosovës janë të përqendruar në pjesën veriore të Italisë, shumë afër zonave të prekura nga koronavirusi. Shpresoj që të jenë mirë. E di që ka pasë shumë nga ata që kanë tentuar të vijnë në Kosovë. Është plotësisht e drejtë e tyre që të vijnë në shtetin e tyre, derisa është përgjegjësi e shtetit të Kosovës që të kujdeset për ta dhe ta mundësojë kthimin në vendin e tyre”.

“Duhet parë me një vizion më ndryshe kthimi i këtyre personave. Duhet ta kemi parasysh që është gjendje shumë e rëndë për sa i përket punës. Njerëzit kanë mbetur pa punë dhe mund të kenë vështirësi të mëdha financiare, kështu që disa e shohin të arsyeshme të vijnë”.

“Për sa i përket gjendjes në Itali këtu punon adminstrata. Punojnë edhe fabrikat dhe bujqësia në mënyrë të mos krijohet krizë e madhe për produktet ushqimore, derisa gjithçka tjetër është e mbyllur. Shumë nga fabrikat janë të autorizuara që të ndryshojnë prodhimin e tyre”.

“Ka krizë të madhe sa i përket numrit të mjekëve. Qeveria italiane po mundëson futjen në punë të 10.000 mjekëve dhe infermierëve për shkak të mungesës së mjekëve dhe infektimit të madh të tyre, sidomos në zonat e veriut”.

Lama ka komentuar edhe ankesën e Italisë në Bashkimin Europian lidhur me ndihmat për të përballuar ‘luftën’ me koronavirusin.

“Realisht ka pasë ankesa, sepse Italia qysh në fillim të krizës kërkoi ndihmën e BE-së si pjesë e këtij unioni dhe pati pakënaqësi, sepse nuk iu përgjigj kërkesave të tyre. Madje, ka pasë bllokim të eksporteve të maskave dhe dorëzave që janë bërë shumë të çmueshme këto ditë”.

“Raporti me BE-në duket se është zbutur pak pas shumës prej 750 miliardë dollarëve që Banka Europiane ka hedhur në treg për të stabilizuar tregjet, sepse tregjet financiare në Itali dhe në Europë kanë pësuar goditje shumë të rëndë”.

“Nëse vendet nuk do të tregojnë solidaritet që ta përballojnë këtë krizë së bashku, atëherë vihet në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e Bashkimit Europian. Kjo krizë, përveç asaj ekonomike që është e pashmangshme dhe pasojat do të shihen shumë shpejt, po i jep mundësi edhe sovranistëve dhe nacionalistëve që të kenë argumente më shumë për sa i përket mënyrës se si duhet të funksionojnë shtetet”.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali ka dhënë disa këshilla për kosovarët se si të përballen me koronavirusin.

“Këtu në Itali policia dhe ushtria janë në rrugë për t’iu bërë njerëzve me dije që të mos lëvizin nga shtëpitë, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të izoluar përhapjen e këtij virusi që po rezulton vdekjeprurës”.

“Kanë filluar gjobë vëniet për ata që nuk e respektojnë dhe efekti i këtyre masave shumë të ashpra – që do të vijnë duke u ashpërsuar – do të shihen ditëve në vijim”.

Alma Lama, që dikur ishte pjesë edhe e LDK-së edhe e Lëvizjes Vetëvendosje, ka komentuar edhe prishjen e koalicionit mes këtyre dy partive.

“Është zhvillim dramatik, sidomos në periudhën e kësaj krize të virusit që për fat të mirë Kosova nuk është e prekur në këto përmasa sa në Itali”.

“E konsideroj zhvillim të panevojshëm – u prishën ende pa u ndrequr. Nuk e kam të qartë pse ishte ky provokim për rrëzimin e qeverisë nga ana e Albin Kurtit. Me siguri për të fituar kohë, sepse presioni për dialogun është shumë i madh”.

“Dialogun nuk kam dëshirë ta shoh si kalkulim dhe matematikë, më shumë e shoh si vija të kuqe që gjithë spektri politik në Kosovë duhet t’i ketë  dhe të shkojë pa frikë të ulet në treyezë me Serbinë, pavarësisht presioneve”.