Kuvendi i Suedisë redukton nga 349 në 55 numrin e deputetëve në seanca, shkaku i koronavirusit

Partitë në Parlamentin suedez janë pajtuar që ta reduktojnë nga 349 në 55 numrin e deputetëve në seanca dhe gjatë votimit, të paktën deri në fund të marsit.

Kësisoji parlamenti i këtij shteti, edhe në rast të sëmurjes së shumë deputetëve, do të ishte në gjendje të marrë vendime, shkruan gazeta suedeze “Svenska Dagbladet”, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Sot, kemi arritur marrëveshje midis të gjithë kryesuesve të grupeve parlamentare që siguron që Parlamenti do të mund t’i përmbushë obligimet e veta, edhe nëse një numër i madh i deputetëve nuk marrin pjesë në seanca parlamentare”, ka thënë të enjten Tobias Billstrom, lider i Partisë së të Moderuarve.

Kjo nënkupton se rreth 55 prej 349 anëtarëve të Kuvendit janë të pranishëm gjatë votës në parlament.

Numri i të infektuarve me koronavirus në Suedi ka mbërritur në 1.430, derisa 11 persona kanë vdekur nga komplikimet e shkaktuara prej këtij virusi.