Haradinaj reagon pas shfuqizimit të vendimit për 50 milionë eurot e Bechtel-Enkas

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, për shfuqizimin e vendimit të marrë nga Qeveria Haradinaj, që ia jipte Bechtel Enka-s edhe 50 milionë euro shtesë.

Haradinaj këtë veprim e ka quajtur mashtrim të radhës të Qeverisë Kurti.

“Sot duke manipuluar me shifra dhe duke trumpetuar për anulimin e kinse 50 milionëve për Bechtel Enka-n, Qeveria Kurti u mundua që të mashtrojë qytetarët se shpëtoi buxhetin. Për hir të korrektësisë dhe me misionin që të tregohet e vërteta, sot Qeveria e Mashtrimit anuloi një vendim autorizim për Ministrinë e linjës që të negociojë për kyçjet në Ferizaj dhe Viti. Në vendimin e Qeverisë që unë kam drejtuar nuk ceket shuma”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka deklaruar se Qeveria nuk anuloi 50 milionë por anuloi vendimin që kishte për qëllim kyçjen e fshatrave të Ferizajit dhe Vitisë, si dhe mbikalimin e Paklenicës me autostradën Arbën Xhaferi.

“Qeveria e Mashtrimit u mundua që të na hedhë hi syve duke përdorur shifra për të anuluar një autorizim”, thuhet në reagimin e Haradinajt.