IKSHPK thirrje për kujdes: Qytetarë kthjelluni, çfarë jeni duke bërë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i përmbahen rekomandimeve të dhëna dhe të mos dalin në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes, sepse sipas tyre po rrezikohen ata dhe familjet e tyre.

Sipas njoftimit për media, IKSHPK thotë se në Prishtinë po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes.

“Qytetarë! Çka jeni duke bërë? Kthjelluni ju lutem! Duajeni këtë vend! Atdhe tjetër nuk keni! Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve! Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet! Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Europës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ata thonë se qytetarët duhet ta ndihmojnë stafin mjekësor, e kjo mund të bëhet vetëm duke qëndruar në shtëpi.

“Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime por mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj. Ju kemi lënë të pushoni dhe jo secili të marr detyrën e epidemiologut duke pyetur detaje, duke u munduar të rikonstruktojnë çdo vatër infeksioni, duke u zhytur në kureshtjen e njohjes së çdo procedure të hulumtimit. Pushoni dhe vetëm pushoni që të na lini të punojmë!
Ju gjendeni në shtëpitë e juaja me familjar. Ne akoma gjendemi në punë pa orar nga 15-20 orë! Për ju! E ju për ne: JU LUTEMI QËNDRONI NË SHTËPI”, thuhet në njoftim.