Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, i cili ka qenë shef i misionit vëzhgues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në një analizë të gjatë ka folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, presionit amerikan që po bëhet në drejtim të qeverisë së Kosovës dhe për një marrëveshje të fshehtë që sipas tij kanë përgatitur Thaçi dhe Vuçiq.
Byrnes thotë se draft marrëveshja për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë-Serbi është duke pritur vetëm nënshkrimin.
“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidenti i Serbisë Vuçiq kanë përgatitur një draft marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konflikti, që ka përcaktuar raportet në mes të shqiptarëve për një shekull. Ajo( marrëveshja) është e gatshme për nënshkrim” ka thënë ish-diplomati amerikan, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë nënshkrimin e saj sipas tij po e pengon qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos e hequr taksën plotësisht, dhe mosmarrëveshja kushtetuese se kush është përgjegjës për dialogun me Serbinë.
“Draft marrëveshje siç është raportuar përfshinë edhe shkëmbim të territoreve”, ka vazhduar Byrnes.
Sipas tij në këtë draft përfshihen shkëmbim i territoreve (disa pjesë të Kosovës në veri të lumit Ibër dhe disa pjesë të Luginës së Preshevës në jug të Serbisë, asociacion të komunave serbe për të cilin duhet pajtim, eksterritorialitet për manastiret serbe, njohje de jure nga Serbia dhe një angazhim të Serbisë për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Byrnes ngre shqetësimet se një marrëveshje e tillë do të jetë e keqe që me shumë gjasë do të nxisë nacionalistët radikal në Ballkan. Ndërkohë thotë se krijimi i një asociacioni të komunave serbe me autonomi të veçantë mjafton për të de funksionalizuar Kosovën pa ndonjë “ përbërës shtesë”, transmeton Gazeta Express.
Tutje ish-diplomati amerikan ka treguar se në Ëashington Vuçiq nuk është pajtuar që të kthehet në dialog pa e hequr Albin Kurti plotësisht tarifën, pavarësisht presionit të Këshilltarit të Trump për Siguri Kombëtare, Rober O’Brien, emisarit Richard Grenell dhe dhëndrit të Trump, Jared Kushner.
Edhe premtimet e Kushner për ndihma të mëdha dhe investime të huaja, siç thotë Byrnes nuk ia kanë ndryshuar mendjen Aleksander Vucicit për t’u kthyer në dialog pa e hequr Kosova plotësisht taksën.
Këtë Byrnes e lidh edhe me dëshirën e Vuçiqit që dialogu të mos rifillojë para zgjedhjeve parlamentare serbe që mbahen më 26 prill.
“Qëllimi i tij publik është që Partia e tij Progresist të fitojë më fuqishëm se herën e fundit, dhe ai nuk dëshiron që t’iu jap kundërshtareve të tij ndonjë justifikim për ta akuzuar për shitje të Kosovës”, potencon Byrnes.
Ish-diplomati ka folur edhe për presionin amerikan për të arritur një marrëveshje dhe mënyrën se si një gjë të tillë po tenton ta shfrytëzojë Thaçi.
Sipas Byrnes, Thaçi e sheh marrëveshjen si një shtesë të trashëgimisë së tij politike. Ish-diplomati që ka shërbyer në Kosovë thotë se Thaçi për ta ruajtur veten dëshiron ta rrëzojë Kurtin nga Qeveria, për të krijuar më pas një koalicion LDK-PDk.
“Ai dëshiron ta rrëzojë Kurtin për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja për të çrrënjosur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit është që të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përberë nga LDK, partneri aktual i Kurtit në koalicion, dhe nga PDK, partia që themeloi Thaçi”, ka shtuar Byrnes.
Byrnes thotë se Thaçi po e shfrytëzon shumë mirë presionin amerikan edhe për të grumbulluar rreth vetes opozitën dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për të hequr tarifën menjëherë.
Ish-diplomati thotë se kërcënimi i Thaçit se Kurti po është një kërcënim për të ardhmen e raporteve me SHBA’në është një akuzë e ‘papërgjegjshme’, transmeton Express.
Ai thotë se lideri i LDK’së, Isa Mustafa, është në përkrahje të Thaçit, derisa shton se Kuvendi nuk është duke e mbështetur presidentin, gjë që ka vendosur situatën në ngërç.
Në fund Byrnes thotë se drejtuesit e Kosovës duhet të kuptojnë që asnjë marrëveshje gjithpërfshirëse nuk do t’i jap fund armiqësisë me Serbinë, derisa Serbia të pranojë atë se çfarë ka bërë në Kosovë gjatë sundimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Raportet e tyre nuk do të mund të jenë as normale e as miqësore”, ka shtuar Byrnes.
Byrnes jep edhe një porosi për liderët e Kosovës. Sipas tij SHBA do të mbetet një mik i vendosur i Kosovës dhe një gjë e tillë nuk do të ndryshojë pavarë3sisht kërcënimeve të Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo e Kushner.
“Kosova nuk duhet të detyrohet të pranojë një marrëveshje me një Serbi armiqësore”, ka përfunduar Byrnes./