KEDS: Pagesat e rrymës kanë rënë në minimum, rrezikohet furnizimi me energji elektrike


Situata e fundit pandemike është duke e rrezikuar edhe funksionalitetin e KEDS-it dhe KESCO-s, shkaku që pagesat për rrymën kanë rënë në minimum, duke e pamundësuar mbulimin e shpenzimeve, ka paralajmëruar zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“Në Kosovë ekziston një zinxhir i kompanive elektroenergjetike të cilat krijojnë kosto secila në bazë të shërbimeve që i ofrojnë. Në fund e tërë barra e shlyerjes së obligimeve bie ndaj KESCO-s, si hallka e fundit dhe KEDS si e parafundit”, shkruan ai në njoftim.

Ai ka bërë të ditur se barra më e madhe ka të bëjë me pagesat e energjisë elektrike, të cilat i pranon KESCO për t’i furnizuar konsumatorët, “të cilat kapin kosto multimilionëshe brenda muajit, energji kjo që pranohet si nga KEK, ashtu edhe nga prodhues tjerë”, transmeton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Të njëjtën kohë, energjia elektrike vendore shpesh nuk mjafton, duke detyruar kompaninë të importojë për t’i plotësuar nevojat e konsumatorëve. Pastaj kosto tjetër e shtuar është edhe ajo e transmisionit. Në fund janë operimet e vet kompanisë, duke e pasur parasysh mirëmbajtjen dhe invesimet në rrjetin distributive, pagesat për rreth 2200 punëtorë e shenzimet tjera operative”, shkruan ai.

Rrjedhimisht, si ka thënë ai, pagesa e energjisë elektrike është jetike për mbarëvajtjen e furnizimit. Buzhala u ka bërë apel të gjithë konsumatorëve që t’i paguajnë obligimet e tyre. në mënyrë që të ruhet kontinuiteti i shërbimeve.

“Energjia elektrike është jetike në këto kohë të vëshira që po kalon vendi dhe në përballimin e kësaj situate involvimi i të gjithë akterëve është i domosdoshëm. Në presim zgjidhje dhe mbështetje edhe nga Qeveria e Kosovës, pasi situata e pagesave është rënduar së tepërmi pas tendencës për shtyerje të pagesave në bazë të deklarimeve publike të bëra po nga qeveria”, shkruan ai.