Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë vendim për masa të reja për luftimin e koronavirusit në vend.
Ndër to janë: Ndalimi i qarkullimit i automjeteve në orar të caktuar (përjashtim automjetet zyrtare të cilat ndihmojnë në menaxhimin e pandemisë);
Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në oraret 10:00 – 16:00 dhe 20:00-06:00(përveç rasteve urgjente dhe me nevoja të veçanta)
Ndalohen çdo tubim: ahengje, ceremoni, dasma, party (në të gjitha ambientet), dhe funeralet (vetëm familjarët e ngushtë), të cilat nuk garantojnë distancën 2 metra.
Në bazë të ligjit pet parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, përpos institucioneve duhet të marrin pjesë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në rast të mos zbatimit të këtyre masave qytetarët mund të ndëshkohen nga 1 mijë deri në 2 mijë euro ndërsa personat juridik nga 3 mijë deri në 8 mijë euro, shkruan indeksonline.
Me këto gjoba mund të ndëshkoheni edhe në rastet kur konstatoni sëmundjen dhe nuk e paraqisni, nuk i zbatoni masat higjienike dhe masat e tjera për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse.
Nga 250 deri 1 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se refuzoni të izoloheni apo të shtriheni në spital, në rast se vazhdoni të punoni ndonëse jeni i sëmurë me sëmundje ngjitëse.
Nga 1 mijë deri në 2 mijë euro mund të ndëshkoheni në rast se mbani në punë personin i cili ka sëmundje ngjitëse.
Deri më tani në Kosovë 63 persona janë të infektuar me covid-19 dhe një i vdekur nga ky virus.