Në raportin e tij mbi kontratat e lobimit në Ministrinë Integrimit Evropian (MIE), ministri Blerim Reka kërkon që të zhvillohen hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Duke mos dashur në asnjë mënyrë të prejudikojmë asgjë lidhur me ekzistimin ose mos-ekzistimin e keqpërdorimeve të mundshme dhe duke mos dashur që në asnjë rrethanë të luajmë rolin e hetuesit apo prokurorit, por me qëllimin e vetëm që të zbulohet vetëm e vërteta, do të mund t’i drejtohemi organit kompetent sipas ligjit me kërkesën që të ndërmarrin veprime hetimore, për të hetuar nëse kishte keqpërdorime. Pra, të shihet mundësia që të njoftohet organi kompetent që merret me hetimin e rasteve të tilla për të parë nëse ka apo jo shelje ligji dhe t’i referohen ata kësaj ҫështjeje Ex Officio, përkatesisht në kompetencë të Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës”, thuhet në raportin e MIE, një kopje të te cilit e ka siguruar Buletini Ekonomik.
Veç kësaj, ministri Reka nuk e përjashton edhe mudësinë e krijimit të një Task-Force apo të një auditim profesional.
“Për shkak të dyshimeve dhe anomalive të gjetura qysh në shikimin – shqyrtimin sipërfaqësor të kontratave të lartëpërmendura dhe pa rezultate të prekshme për vendin, për të mos thënë pa asnjë rezultat, (për më tepër edhe të dëmshme për buxhetin e rënduar të shtetit të Republikës së Kosovës), nuk duhet përjashtuar mundësia të krijohet një Task Forcë profesionale apo auditim profesional nga jashtë për të hetuar detajisht ecurinë dhe lidhjen e këtyre kontratave”.
Bëhet fjalë për tri kontrata me vlera të mëdha të nënshkruara gjatë vitit 2019 nga ish-ministrja, Dhurata Hoxha.
Kontrata e parë është nënshkruar me 17 qershor 2019, mes Dhurata Hoxhës në cilësinë e ministres së Integrimit Evropian dhe kompanisë amerikane “Madison Global Strategies”, në vlerë të 152 mijë eurove. Në bazë të marrëveshjes bazë, MIE obligohej që për çdo muaj të kryente pagesa në vlerë prej 19 mijë euro për kompaninë “Madison Global Strategies, LLC”. Dhe kjo, për nëntë muaj me radhë sa edhe kishte afat kontrata. Në anën tjetër, kompania amerikane ishte e obliguar që të kryente shërbime të konsulencës si dhe këshillim në favor të Ministrisë, e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump. Kësaj kompanie i është ndërprerë kontrata njëanshëm nga zyrtarët e MIE. Kompania amerikane ka kërcënuar me arbitrazh Kosovën me një pretendim prej 513 mijë eurove.
Në mesin e dy kontratave të mëdha për lobim që u nënshkruan nga Dhurata Hoxha, sa ishte në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE), është edhe ajo me kompaninë franceze “MAJORELLE PR & Event”. Kjo kompani u pagua 168 mijë euro për disa shërbime fare të thjeshta. Sipas raportit të MIE, aktiviteti kryesor i saj ishte që ta njoftonte ministrinë në baza mujore lidhur me atë se çfarë shkruanin mediat franceze për Kosovën.
Në kontratën për Shërbime Informimi të MIE, ku përfshihet edhe kampanja për liberalizimin e vizave, raporti thotë se zyrtarët e kësaj ministrie aprovuan pagesa edhe pas dorëheqjes së qeverisë. Kjo kontratë që kap vlerën e 881 mijë e 389 euro ishte nënshkruar me 10 korrik të vitit 2019 dhe i është besuar një kompanie kosovare, përkatësisht kompanisë “PR Solutions”. Në kontratë, specifikisht, përmendet si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave. /Buletini Ekonomik/