Në periudhën 2014-2020, Kosova ka përfituar 602 milion EURO nga BE-ja. Kjo shumë nuk përfshin investimet prej 1 miliard EURO të cilat i ka koordinuar BE-ja për nevojat e Kosovës në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Sipas institutit EPIK, përmes kornizës investuese janë financuar projektet siç është “Përmirësimi i Ngrohjes Qendrore në Prishtinë” dhe “Rehabilitimi i Rrugës Hekurudhore X”. Po ashtu, kjo shumë nuk përfshin asistencën bilaterale financiare nga vendet anëtare të BE-së apo kreditë të ofruara nga Banka Evropiane për Investime dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në këtë kontekst, BE-ja mbetet larg partneri më i madh zhvillimor në Kosovë, ndërsa asistenca e ofruar e bënë Kosovën vend të dytë me përfitim më të madh të fondeve të BE-së për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.
Sot në këto kohërat e vështira të shkaktuara nga pandemia e virusit COVID-19, BE-ja është duke shqyrtuar mundësitë e ndryshme për të mbështetur Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në adresimin e pasojave nga virusi COVID-19.
Në këtë drejtim, BE-ja është ka ndarë 5 milionë EURO në luftimin e virusit COVID-19.
Përveç kësaj ndihme të menjëhershme, BE-ja në bashkëpunim me Institucionet Financiare Ndërkombëtare janë duke koordinuar dizajnimin e pakos financiare e cila do të adreson pasojat afatgjate ekonomike të shkaktuara nga virusi COVID-19.
Shfrytëzojmë këtë rast që të nënvizojmë rëndësinë për fillimin e një dialogu me të gjithë donatorët aktiv në Kosovë me qëllim të ri-programimit të fondeve në drejtim të asistimit të institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve në përballimin me pasojat afatshkurta dhe afatgjata të virusit COVID-19.