Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme rreth raporteve me SHBA-në ka thënë se tarifa do të hiqet, por nuk do të braktiset reciprociteti.
“Sot nuk është çështja te heqja e tarifës por te heqja e reciprocitetit, sepse unë si kryeministër kam shprehur qëndrimin tim për heqjen e tarifës 100 për qind, njëherë si lëndë e parë e pastaj plotësisht. Beteja po bëhet si të hiqet reciprociteti, e reciprociteti buron nga barazia e unë e dua barazinë”, ka thënë Kurti.
Tutje ai ka thënë se, “çështja është se si të braktiset reciprociteti, e jo se si të hiqet tarifa. Tarifa do të hiqet, por reciprociteti nuk guxon të braktiset”.
Kurti tutje ka thënë se përjetësisht do t’i jetë mirënjohës SHBA-së.
“Neve dinjiteti, integriteti na buron nga brenda qenies tonë, ne jemi falënderues e mirënjohës për jetë për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë e në paqe, për drejtësi, zhvillim e demokratizim, për mbrojtje e për siguri dhe me shumë mundësi edhe jetën ua kemi borxh secili prej nesh. Ama duhet ta kuptoni një gjë dinjiteti të vjen prej brenda, jo prej jashtë. Për shkak se je, duhet të jetosh me dinjitet, për shkak se je duhet të kesh integritet dhe në këtë kuptim Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk na duan neve servil, është gabim të mendojë ndokush se nëse ne jemi servilë atëherë na duan më shumë. Ne kemi nevojë ta duam popullin e ta kemi respektin e tjetrit, por s’ka respekt të tjetrit pa vetërespekt”, u shpreh Kurti.
Tutje ai i është kundërpërgjigjur kreut të opozitës, Kadri Veselit.
“Lideri i opozitës tha që këtu nuk ka vend për konservatorë, liberalë dhe komunistë, besoj se ka menduar për socialistë, ose socialdemokratë si puna ime sepse Lëvizja Vetëvendosje është subjekt socialdemokrat. Ata nuk i përmendi fare, do të thotë s’ka vend për neve këtu. Është edhe Nisma këtu socialdemokrate që ia kaluan pragun”, u shpreh Kurti.