Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk beson se trupat e KFOR-it amerikan do të largohen nga Kosova. Por, edhe sikur do të ndodhte një gjë e tillë, sipas tij, kjo nuk bëhet për shkak të tarifës së vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjës.
Pas tubimit elektoral në një restorant me të rinjtë e Podujevës, Kurti ka thënë se Brigada e 41-të e këmbësorisë-ekipi luftues, ishin për trajnime në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Gjermani dhe se u kthyen prapë në Kosovë.
“Unë nuk mendoj se KFOR-i amerikan duhet të tërhiqet nga Kosova. Përkundrazi, dhe besoj se nuk do të tërhiqet nga Kosova. Kemi parë një si dëshirë të djalit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mirëpo kjo nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Nëse ajo dëshirë bëhet edhe vendim i presidentit amerikan, sërish nuk ka lidhje me tarifën 100 për qind. Ka të bëjë me një reduktim të trupave që SHBA e ka bërë edhe në Afganistan edhe në Siri”, ka deklaruar kryeministri Kurti në Podujevë, raporton KOHA.
“Por, po them, unë besoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të qëndrojnë në të gjitha format e tyre shtetërore në Kosovë me Ambasadë, me ekonomi, me kulturë, me mbrojtje dhe jemi për partneritet dhe aleancë të fuqishme. Ne do ta heqim tarifën 100 për qind në mënyrë graduale, duke e zëvendësuar me reciprocitetin gradual. Jemi të bindur se kjo është rruga e duhur përpara dhe qëndrimi më racional dhe më i dobishëm për vendin tonë”, deklaroi kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.
Në këtë diskutim, Kurti nuk u duk se ka ndryshuar qëndrim sa i përket heqjes së tarifës vetëm për lëndën e parë.
“Ne duhet ta marrim një vendim në Qeverinë e Kosovës për këtë. Sa për mua, do ta kishim marrë edhe më herët. Por, unë nuk kam qenë i interesuar për një vendim të tillë, i cili nuk do të kishte konsensusin tonë. Pra, të mos jetë një vendim me shumicë të thjeshtë, por të jetë një vendim në të cilin pajtohemi që të gjithë. Ne nuk e kemi vënë tarifën 100 për qind. Ne duam reciprocitetin, por mendojmë se është gabim edhe pa tarifën qindpërqind edhe pa reciprocitetin, se të mos harrojmë që një gjë të tillë para se gjithash e mbi të gjitha na e ka kërkuar qysh moti presidenti i Serbisë, përkatësisht Serbia e papenduar”, ka theksuar ai.
Sa i përket qëndrimit të partnerit të tij në qeveri (LDK), Albin Kurti mendon se nuk kanë dallime, por ka diferenca.
“Mirëpo, në anën tjetër ka diferenca edhe brenda të gjitha subjekteve të spektrit tonë politik”, u shpreh ai në këtë tubim.