ATK u bën thirrje bizneseve të zbatojnë saktë TVSH-në në sektorin e ndërtimtarisë

Sektori i ndërtimtarisë

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) u ka bërë thirrje bizneseve që operojnë në sektorin e ndërtimtarisë të zbatojnë në mënyrë korrekte rregullat për ngarkesën e kundërt të TVSH-së, me qëllim të shmangies së gabimeve dhe parregullsive gjatë faturimit.

Në një njoftim për tatimpaguesit, ATK thekson se aplikimi i saktë i trajtimit të TVSH-së është i domosdoshëm për përmbushjen e obligimeve ligjore dhe për respektimin e legjislacionit tatimor.

Lexo më shumë: 

Paralajmërime për përkeqësim të mundshëm të gjendjes në ndërtimtarinë e Kosovës

Sipas Administratës Tatimore, ngarkesa e kundërt e TVSH-së në ndërtimtari zbatohet kur si furnizuesi ashtu edhe pranuesi i shërbimit janë të deklaruar për TVSH në Kosovë. Në këto raste, TVSH-ja nuk ngarkohet në faturë.

ATK sqaron se ekziston edhe një përjashtim nga kjo rregull.

“Nëse kontraktori kryesor i faturon investitorit, zbatohet TVSH-ja normale dhe fatura lëshohet me TVSH”, thuhet në njoftimin e administratës.

Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve që, para lëshimit të faturës, të verifikojnë trajtimin e TVSH-së sipas rolit të secilës palë në transaksion.

Po ashtu, ATK rekomandon që bizneset të përmbushin me kujdes obligimet e tyre tatimore dhe të mbajnë dokumentacionin në përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë që të shmangen gabimet gjatë faturimit dhe parregullsitë tatimore. /Buletini Ekonomik/