Një hulumtim i bërë nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, 74.8 për qind e banorëve të Shqipërisë janë deklaruar pro bashkimit me Kosovën, ndërsa 17.7 janë deklaruar kundër bashkimit. Ndërkohë që në Kosovës 63.9 për qind janë deklaruar pro bashkimit me Shqipërinë ndërsa 16.7 kundër kësaj ideje.
Hulumtimi ka treguar se 88.7 për qind e shqiptarëve të Kosovës kanë vizituar Shqipërinë, derisa vetëm 31.6 për qind e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën, raporton KOHA.
Ky është njëri ndër hulumtimet që është prezantuar në tryezën “Shqipëri – Kosovë- dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe, që është organizuar nga këto dy fondacione.
Përveç këtij hulumtimi në këtë tryezë janë prezantuar edhe gjetjet e raportit “Dekonstruktimi i idesë së Bashkimit: E ardhmja e Marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë” që është realizuar nga KIPRED-i, “Udhërrëfyesi: bashkëpunim Shqipëri-Kosovë në sektorin e arsimit”, i realizuar nga Qendra Shqiptare e Asistencës Arsimore dhe Qendra për Arsim e Kosovës si dhe raporti “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri: pengesat dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, që është realizuar nga Instituti GAP dhe Instituti Riinvest.
Në hapje të kësaj tryeze drejtori i Fondacionin të Kosovës për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku, ka thënë se nga të dyja anët e kufirit duhet të punohet bashkërisht në fusha që do të ndihmonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Ndërkohë drejtori i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Andi Dobrushi, ka theksuar se shpreson që kjo nismë për të nxjerr këto hulumtime, të vazhdojë më bashkëpunime të tjera në rrafshe sa më konkrete.