Në shumë qytete të Kosovës u protestua me tenxhere

Nga shumë qytete të Kosovës kanë arritur video se qytetarët i janë bashkuar thirrjes për protestë nga një grup aktivistësh me moton “Protestojmë n’ballkon” në orën 20:00 duke dalë nëpër dritaret dhe ballkonet e tyre e duke krijuar zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si çelësa ose tenxhere dhe lugë.

“Revolta dhe protestimi prej ballkonit e ka një simbolikë të madhe dhe historike tek qytetarët e Kosovës. Gjatë viteve të ‘90-ta, qytetarët e Kosovës, nga ballkonet e dritaret e tyre kanë përdorur mjete të ndryshme të cilat krijojnë zhurmë për të shprehur revoltën ndaj sistemit shtypës të asaj kohe”, u tha në njoftimin që është shpërndarë në rrjete sociale, raporton KOHA.

Ndërkaq, në redaksinë e Kohës kanë arritur pamje nga të gjitha anët e Kosovës që dëshmojnë se qytetarët nuk janë të interesuar të përjetojnë edhe një krizë politike në vend pas prishjes së raporteve mes dy partive të koalicionit qeverisës, LVV-së e LDK-së.

Reklama e sponzorizuar

“Në një kohë kur të gjithë do të duhej të ishin të bashkuar dhe të unifikuar që të punojnë në menaxhimin e situatës të shkaktuar nga pandemia COVID-19, politikanët e Kosovës po keqpërdorin pushtetin e tyre politik për të krijuar drama dhe pasiguri në një kohë kur vendi duhet të jetë i mobilizuar karshi pandemisë së virusit. Sot më 19 mars përmes daljes të secilit prej neve në ballkon ose dritare në ora ‪20:00 për 5 minuta në të gjithë Kosovën po krijojmë zhurmë me mjete të ndryshme të cilat nuk janë të rrezikshme si (çelësa ose tenxhere dhe lugë) për të kërkuar reflektim nga të gjitha partitë politike dhe udhëheqësit institucional në Kosovë ndaj situatës së krijuar dhe panikut që është duke e përjetuar çdo shtetas i Kosovës”, u tha në thirrjen e grupit të aktivistëve “Replikë”.

Pamjet që do t’i shihni më poshtë janë nga lagje të ndryshme të kryeqytetit, nga Podujeva, Fushë-Kosova, Lipjani e të tjera.