Organizatat e biznesit kërkojnë nga Qeveria 300 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat

Organizatat e biznesit kanë kërkuar nga Qeveria t’i alokojë më së largu këtë javë së paku 300 milionë euro për mbështetjen e sektorit privat.

Sipas një njoftimi për media, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, Këshilli i Investitorëve Evropianë dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës, kërkojnë nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës që të prezantojë me prioritet pakon e masave emergjente në mbështetje të ndërmarrjeve dhe punonjësve të goditur nga masat e ndërmarra për përhapjen e pandemisë.

Organizatat që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, ritheksojnë nevojën e përpilimit dhe zbatimit të një programi të mbështetjes qeveritare me qëllim të ndërhyrjes së shpejtë dhe gjithëpërfshirëse për shpëtimin e vendeve të punës.

Reklama e sponzorizuar

Ata thonë se duke pasur parasysh impaktin tejet negativ që pandemia Covid-19 ka pasur në tërë sistemin ekonomik dhe vonesën e institucioneve për t’u dalë në ndihmë ndërmarrjeve të prekura, një numër i madh i punonjësve të vendit do të mbeten pa të ardhura që nga muaji mars.

Sipas tyre, një situatë e tillë do të ndikonte në thellimin e mëtejmë të gjendjes, tashmë të vështirë sociale në vend.

“Prandaj organizatat e biznesit i kërkojnë Qeverisë që jo më larg se këtë javë të aprovojë programin e likuiditetit i cili do të përfshinte: (1) Një pako financiare në vlerë prej së paku 300 milionë eurosh për fazën emergjente, (2) Subvencionimin e pagave për punonjësit e të gjitha ndërmarrjeve, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, (3) Subvencionimin e pagesave të qirasë për të gjitha ndërmarrjet, aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe, dhe (4) Subvencionimin e të gjitha shpenzimeve të tjera operative për të gjitha ndërmarrjet aktiviteti i të cilave është ndërprerë apo vështirësuar në masë të madhe”, thuhet në njoftim.

Organizatat e biznesit besojnë se Kosova ka kapacitetet e nevojshme buxhetore për ndërhyrje financiare, që do të mund të realizohej përmes riorientimit të mjeteve të planifikuara për investime kapitale, në programin e propozuar të likuiditetit.

“Po ashtu, sipas tyre, Qeveria në detyrë, duhet të nisë menjëherë përpilimin e një programi të rimëkëmbjes për fazën e paspërfundimit të pandemisë COVID-19, i cili do të përfshinte mjete monetare nga buxheti i vendit, por edhe nga organizatat financiare ndërkombëtare. Organizatat nënshkruese të kësaj deklarate kërkojnë edhe Kuvendi i Kosovës që të mbështesë masat e prezantuara nga Qeveria në detyrë, përfshirë edhe rishikimin e nevojshëm të buxhetit të vitit 2020”, thuhet në njoftim.