Për dështimet një pas një në energjetikë fajin e kanë qeverisja e keqe me sektorin e energjetikës në nivelin qeveritar në dy dekadat e shkuara. Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit, që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij.
Shkruan: Mehmet GJATA
Të alarmuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe kriza që i kanosej me shpejtësi Kosovës nga pasojat e mospasjes mjaftueshëm rrymë për konsumin e vendit, që në ditët e para pas luftës, kur terri në njefarë mënyre kërcënoi ta kolapsonte vendin, njohësit e proceseve ekonomike dhe zhvillimore kërkuan me ngulm nga zyrtarët dhe auroritetet vendimmarrëse që prioritet mbi prioritetet të institucioneve të Kosovës të jetë ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik, edhe para autostradës së kombit dhe para zbatimit të procesit të privatizimit. Pak a shumë, atëherë ishin identifikuar nevojat për kapacitetet e reja energjetike. Në dokumente të ndryshme zyrtare thuhej se synimet e politikave qeveritare, të prezantuara edhe në të gjitha Strategjitë e Energjisë së Kosovës, përveç planeve për kapacitete të reja gjeneruese të energjisë elektrike, kanë për qëllim edhe përfshirjen e sektorit privat në projektet infrastrukturore TC-ve të reja ku do të përfshiheshin zhvillimi, dizajni, ndërtimi, financimi, pronësia, mirëmbajtja dhe operimi në përputhje me standardet dhe kriteret ndërkombëtare.
Shumica e ideve dhe vizioneve parashihnin ndërtimin e një termocentrali të ri, meqenëse Kosova kishte shumë thëngjill dhe rezerva të mjaftueshme të tij për periudha më të gjata (rezervat e linjitit vlerësohen të jenë të mjaftueshme për të furnizuar energjetikën kosovare disa qindra vjet të ardhshme). Ekspertët e shumtë pretendonin të ndërtohej urgjentisht një termocentral i ri. Më të ekuilibruarit parashihnin si të domosdoshëm një termocentral me fuqi diku rreth 500-600 megavatësh. Ndërsa pati të tillë, sish nga euforikët, madje edhe autoritete deri të ministrat, që ishin përcaktuar definitivisht për ndërtimin e një megatermocentrali, ose një numri sish, me fuqi deri në 2.100 megavatësh, pa pasur, siç duket, fare parasysh, se çdo bëhej me popullsinë, pra me kosovarët që jetojnë e gjallojnë mu në afërsi të drejpërdrejtë të këtij shkatërruesi potencial të ambientit, florës dhe faunës dhe ajrit e ujërave të Kosovës. Një variant i mesëm, po në vazhdën e kërkesave për kapacitete të reja energjetike ishte ndërtimi i një TC-je me fuqi 1000-1.200 megavatë-orësh. Pas “rënies në ujë” të të gjitha këtyre parashikimeve, në të shumtën me fajin e vendimmarrësve tanë, më në fund Qeveria e Kosovës i dha kompanisë ContourGlobal statusin e ofruesit të preferuar në vitin 2015 për zhvillimin e termocentralit të ri me kapacitet 2 herë 300 megavatë, të emërtuar si Kosova e Re. Qeveria e Kosovës dhe ContourGlobal në ndërkohë nënshkruan Marrëveshjet Komerciale për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re në dhjetor 2017, u saktësuan edhe afatet e ndërtimit. Nga qeveritarët u tha se Termocentrali Kosova e Re do t’i sjellë vendit furnizim të besueshëm me energji si themel për investime në të ardhmen të cilat do të nxisin zhvillimin ekonomik në Kosovë. Ndërtimi i impiantit do të krijojë mundësi për vende të reja pune, si dhe punësim afatgjatë me të filluar operimi i impiantit. Dhe prap nuk u bë asgjë.
Siç dihet, edhe ky projekt ka dështuar tashmë. Kosovën e re në këtë variant, pos qeveritarëve të cilët e mbrojtën me ngulmë dhe pa bindje, të gjithë kosovarët e tjerë, praktikisht e refuzuan. Kundër tij ishin shoqëria civile në radhë të parë, ekspertët, njohësit e zhvillimeve energjetike, por edhe institucionet financiare, të cilat e shihnin projektin si shumë të dëmshëm financiarisht për Kosovën dhe si të tillë edhe një ndër gjeneruesit e ardhshëm potencial të krizave financiare që do ta kaplonin vendin.
Pse dështuan të gjitha këto projekte për ndërtimin e një kapaciteti elektroenergjetik në Kosovë?
Në vitet e para pas luftës, në opinion ishte krijuar përshtypja se, më në fund, autoritetet kosovare janë vetëdijësuar për urgjencën e ndërtimit të një termocentrali të ri. Iu hap dera atbotë edhe investitorëve ndërkombëtarë. Dhe interesimi i kompanive të fuqishme nga bota nuk mungoi, as asistenca teknike ndërkombëtare (Banka Botërore, Komisioni Europian dhe USAID-i). Disa ofertues serioz, në ato vite hapën zyra në Prishtinë për të treguar seriozitetin e tyre për të qenë konkurrentë në ndërtimin e këtij projekti.
Por, shumë shpejt u pa se të gjitha këto kishin qenë vetëm iluzione. Sepse, shi kur mendohej se gjithçka shkonte vaj, dy konzorciume prestigjioze gjermane “RWE” dhe “EnBW” me partnerin e saj amerikan “WGI”, njëra nga të cilat ishte instaluar në kryeqytet me zyra dhe personel të përgatitur, u tërhoqën nga gara e procesit të tenderimit. Kur më pastaj u tërhoq edhe CEZ-i çek, pretenduesi i tretë për ta ndërtuar termocentralin e ri, u bë e tejdukshme se këto synime po dështonin ende pa nisur. Me fajin tonë, të vendimmarrësve të atëhershëm, të cilët me hezitimin e tyre të pakuptueshëm, pa aftësinë profesioniste, kalkulimet e gabueshme dhe ç’është me e keqja me kërkesa të turpshme për t’u korruptuar, praktikisht dëbuan ofertuesit më seriozë që ndonjëherë kishin ardhur në Kosovë.
Tashmë nuk ka më dilema se për këto dështime fajin e patëm ne, vetëvetja, qeverisja e keqe me sektorin e energjetikës në nivelin qeveritar të deritashëm. Për shkak të politikave miope të qeverive të deritashme në energjetikë, megjithë kushtet e mira të eksploatimit të linjitit, që mundësojnë favore në afarizëm, Kosova ka dështuar keq në sektorin e energjisë në shumë hallka të tij.
Sidoqoftë, Kosova sot e kësaj ditë, 21 vjet pas përfundimit të luftës ka mbetur vetëm me kapacitetet Kosova A dhe B, të cilat kanë gjithsej fuqi të instaluar diku rreth 1.300 megavatë-orë, por që tashmë me vite, edhe pas rivitalizimeve të shumta dhe të shpeshta prodhojnë diku 700-800 megavatë-orë. Ndërkohë konsumi aktual i Kosovës, thuaja pa asnjë kapacitet industrial pos Ferronikelit e ndonjë reparti të Trepçës, gjatë muajve të verës është pak a shumë sa prodhimi, ndërsa muajve të dimërit dhe kohës së pikut edhe në muajt e verës, ka mungesë të theksueshme të energjisë elektrike dhe kjo mungesë përmbushet nga energjia e importuar. Në këtë mënyrë, pa elaboruar më shumë, Kosova vazhdimisht gjendet në prag të ndonjë krize të madhe energjetike.
Duhet thënë se që nga fillimi i pasluftës, jo pak zëra preferonin me shumë arsyetime, që për tejkalimin e krizës energjetike të rivitalizohej tërësisht, madje thuaja të rindërtohej si tërësi kompleksi i termocentraleve “Kosova A”, blloku i parë i të cilave ka filluar punën që në vitin e largët 1960. Pati të tillë që kishin kërkuar që në TC “Kosova A” të mbesin vetëm muret dhe eventualisht oxhaqet ekzistuese, ndërsa të tëra stabilimentet të vendosen fare të reja dhe nga teknologjitë e fundit.
Dhe këto ditë rivitalizimi i TC “Kosova A” , ose rindërtimi i saj, siç po thuhet tani, si mundësi e tejkalimit të krizës energjetike për dhjetëra vjet u riaktualizua sërish nga Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut dhe nga Qeveria Kurti.
Në fakt, këto ditë Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të KEK-ut ka marrë vendimin për nisjen e procedurave për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’.
“Përgatitja e draft dokumentit Teknik lidhur me Termocentralin Kosova A dhe përgatitja e draft letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj. Pas përgaditjes së drafteve do të bisedohet me aksionarin”, u tha në komunikatën e Bordit të KEK-ut të lëshuar për media. Ndërsa, sipas disa burimeve brenda Bordit, Qeveria aktuale nuk parasheh ndërtim të kapaciteteve të reja energjetike. Parashihet vetëm rehabilitimi i Kosovës A me një investim prej 200 milionë eurosh. Kjo do t’ja zgjaste jetën Kosovës A për 20 vjetët e ardhshëm. Në mungesë të ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike, rehabilitimi i Kosovës A është opsioni i vetëm që do të garantonte qëndrueshmëri energjetike.
Riaktualizimi i rivitalizimit të termocentraleve “Kosova A” për shumë kosovarë, ndër ta edhe jo pak ekspertë të energjetikës është i pranueshëm dhe është lajm i mirë, nëse bëhet mirë, nëse respektohen në përpikëri dhe saktësisht standardet ndërkombëtare për ruajtjen e ambientit dhe nëse bëhet pa humbur kohë. Këta arsyetojnë me maksimën “Kur s’ka mish pule edhe mishi i sorrës është i mirëseardhur” dhe me zgjidhjen e krizës energjetike në këtë mënyrë për dy dekada Kosova do të kursente shumë para. Sipas tyre, pas dy dekadash, kur vendi të forcohet ekonomikisht dhe financiarisht mundet të përcaktohet për kapacitete fare të reja energjetike. Pas dy dekadash energjia nga burimet gjeneruese do të jetë parësore edhe në Kosovë, prandaj deri atëherë të këtë një zgjidhje, qoftë e përkohëshme që do të furnizonte mjaftueshëm Kosovën me rrymë. Nëse është menduar mirë dhe është analizuar si duhet se rivitalizimi i “Kosovës A” do të zgjidhte problemin, le të bëhet kjo punë.
Megjithatë, popullata e Kosovës, e sidomos kryeqytetasit, që jetojnë në afërsi të drejtëpërdrejt me “Kosovën A”, por edhe përfaqësues të asociacioneve kompetente ndërkombëtare të instaluara në Kosovë, edhe pse duan të kenë energji elektrike të bollshme, nuk e fshehin frikën e ndotjes së ambientit, e ç’rregullimit të ekuilibrit ekoloogjik në afërsi të drejpërdrejt të Prishtinës së mbipopulluar që, deri tash po nga ky termocentral është i ndotur jashtë çdo standardi. Kërkohet përkujdesje dhe insistim që gjatë rivitalizimit të TC “Kosova” të zbatohen të gjitha kriteret, standardet dhe rregullativat ligjore ndërkombëtare (konventa e Aarhusit, protokolli i Kyoto-së etj.).
Shkurt e shqip, kryeqytetasit kërkojnë maturi, studime të thella dhe të gjithanshme për këtë projekt, verifikim të stabilimenteve eventuale të reja të cilat do të instaloheshin në termocentralin e rehbilituar. Gjithsesi, nuk do të ishte zgjidhje fatlume të veprohet sipas maksimës “ose rivitalizimin e Kosovës A, ose terrin, gjegjësisht krizën energjetike”, që ka kohë po troket në derë. Kriza ka kohë që është këtu. Dhe ajo një ditë do të kulmojë nëse nuk afrohet një zgjidhje e shpejtë. Por tani ka mundësi edhe për burime të tjera energjetike, prodhimi i rrymës nga era, që tashmë ka filluar të realizohet në Shalë të Bajgorës dhe që tashmë janë bërë publike edhe mundësitë të tjera për këtë llojë energjie në vende të tjera të Kosovës dhe që janë shpresëdhënëse. Kurse, Organizatat ndërkombëtare, posaçërisht Banka Botërore, AER-i, USAID-i, do të duhej të ndihmojnë dhe këshillojnë Qeverinë Kurti dhe ministrinë përkatëse në drejtim të sigurimit të më shumë opsioneve zhvillimore të energjetikës, dhe më shumë projekte alternative që do ta adresonin krizën aktuale energjetike, duke i siguruar përmirësim të dukshëm të situatës së vështirë mjedisore të krijuar nga termocentralet. Këshillimet dhe sugjerimet e eksperiencës ndërkombëtare në energjetikë duhet ta kërkojë pa asnjë hezitim dhe pa asnjë vonesë edhe Qeveria aktuale, së paku për ta pasur ndërgjegjen e pastër.