Partia Socialdemokrate ka reaguar ndaj raportimit të djeshëm të KTV-së rreth largimit nga puna të 30 punëtorëve.
PSD-ja thotë se “kompania ‘Limak’ ka marrë krye e s’po di të ndalet” dhe se e njëjta “duhet ndaluar”.
“Pas largimeve në KEDS, dje janë larguar edhe 30 punëtorë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës. Sindikata thotë se nga muaji janar i këtij viti deri sot, numri i të larguarve arrin në 54. Largimet nga puna, edhe në Aeroport, sikur në KEDS, kanë për qëllim disiplinimin e punëtorëve përmes ndëshkimit. Sindikata tregon se qysh nga greva e gushtit të vitit 2019 kishin nisur kërcënimet e shantazhet. Punëtorët e larguar, përfshirë këtu udhëheqës të Sindikatës, po largohen sepse kanë organizuar grevë për të drejtat e tyre. Grevë kjo që është në përputhje me ligjin. Menaxhmenti i kompanisë ‘Limak’ po na thotë se nuk ka largime nga puna, por vetëm mosvazhdime të kontratave. Mjaft indikative. Kjo fjali mund të merret e mirëqenë vetëm kur si gjendje normale kemi pranuar prekariatin. Pra, me kontrata afatshkurtra ose pa to fare, pa të drejta e siguri për të ardhmen. Kjo është gjuha shpjeguese e neoliberalizmit për punëtorin”, thotë kjo parti në një reagim dërguar mediave.
Sipas PSD-së, kompania në fjalë ka përfituar e grabitur shumë nga asetet publike të Kosovës përmes procesit të privatizimit dhe shton se këtë e ka bërë përmes qeverive të mëparshme.
“Por, veprimet e fundit në KEDS dhe ANP ‘Adem Jashari’ vijnë në kohën e Qeverisë që thotë se është për punëtorët e mirëqenien e tyre. Qeveria e re nuk na ka treguar ende nëse i qëndron besnike qëllimit të dikurshëm për rishikimin e privatizimit, veçanërisht privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe shitjes së energjisë ku është kompania në fjalë”, ka thënë PSD-ja.
Kjo parti thotë se qëndron në solidaritet të plotë me punëtorët, mbështet kërkesat e tyre dhe ofron çdo mbështetje e angazhim.