Qendra turistike në Brezovicë vazhdon të menaxhohet nga strukturat paralele serbe

Qendra turistike e skijimit në Brezovicë që nga paslufta po vazhdon të menaxhohet nga strukturat paralele serbe dhe të gjitha shërbimet kryhen pa ndonjë kupon fiskal.

Prandaj, në këtë qendër turistike të gjitha të hyrat nga vizitorët derdhen në fondet e Serbisë dhe asnjëherë udhëheqësit e kësaj qendre si ndërmarrje shoqërore nuk kanë raportuar pranë autoriteteve komunale të Shtërpcës.

Qendra e skijimit në Brezovicë deri tash është futur në obligime të thella milionëshe ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë të hyrat e vetme që derdhen në arkën e shtetit të Kosovës janë ato të parkingut për automjete derisa ish ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dy vjet më parë pati vendosur laura në hyrje të qendrës të cilat shfrytëzohen edhe për vizitorët e parkut nacional të Sharrit.

Në komunën e Shtërpcës kanë thënë se komuna nuk e ka asnjë përfitim nga qendra turistike në Brezovicë, ndërkohë kjo komunë është duke i asfaltuar rrugët me qëllim të interesit të përgjithshëm.

“I gjithë buxheti menaxhohet nga strukturat paralele serbe. Aty nuk kanë asnjë arkë apo kuponë fiskal. Por as buxhetin e hyrjes në qendrën e skijimit nuk e marrim ne si komunë sepse ato i merr ministria e Ambientit pas vendosjes së laurës për ta menaxhuar parkun nacional”, ka thënë Fikri Hasani, nënkryetar i komunës së Shtërpcës për komunitetin pakicë.