Qeveria nuk tregon si do të veprojë rreth taksës, pasi nuk e hoqi pjesërisht

Qeveria nuk ka treguar për veprimet që do t’i ndërmarrë pas dështimit që të nisë zbatimi i masave të propozuara nga kryeministri Albin Kurti, për taksën ndaj mallrave me origjinë nga Serbia.

KOHA ka pyetur në Zyrën e kryeministrit, por ajo të hënën nuk ka treguar se si do të veprohet tutje.

Për këtë temë kanë refuzuar të flasin edhe nga LDK-ja, e cila kishte kundërshtuar masat e propozuara nga Kurti. Kjo parti ka kërkuar heqjen e menjëhershme të taksës dhe pa kushte, ashtu siç po kërkojnë Shtetet e Bashkuara, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Më i zëshmi për heqjen e kësaj mase është emisari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Zëdhënësi i tij, Dick Custin, në një përgjigje për KOHËN ka refuzuar të flasë për pasojat me të cilat mund të ballafaqohet Qeveria, por vetëm ka përsëritur kërkesën rreth taksës.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara mbetet që tarifat duhet të hiqen plotësisht”, ka thënë Custin.

Propozimin e 26 shkurtit, Kurti nuk arriti ta shndërrojë në vendim të Qeverisë, në mungesë të përkrahjes së LDK-së.

Edhe pse vëmendja e shtetit është orientuar drejt ballafaqimit me koronavirusin, njohës të rrethanave thonë se Qeverisë do t’i duhet të marrë vendim rreth kësaj çështjeje.

“Situata e jashtëzakonshme e përballjes me pandeminë botërore mund të krijojë hapësirën për ta lënë anash diskutimin rreth taksës apo dialogun me Serbinë. Por gjithsesi këto çështje janë në tryezën e Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, andaj konsensusi i gjerë politik është më se i domosdoshëm”, ka thënë për “Kohën”, Jeta Krasniqi, hulumtuese në KDI.

Heqja e taksës po kërkohet për ta zhbllokuar dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe pse bisedimet ndërmjet dy vendeve, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, janë ndërprerë në nëntor të vitit 2018, këtë fillimvit me ndërmjetësimin e Richard Grenellit, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje përmes së cilës shprehet vullneti për hapjen e linjave ajrore dhe hekurudhore.