Një alkool dezinfektues që normalisht kushton 3 euro 50 cent, çmimi i tij është rritur 100 përqind pas koronavirusit, aktualisht ai është duke kushtuar 6 euro e 50.
Gazetarja e Gazetës Insajderi, ka inspektuar një nga barnatoret në qytetin e Podujevës, ku ka blerë një alkool etilik një litërsh me çmim prej 6.50 cent, në barnatoren “Green Pharmacy në rrugën “Skënderbeu”.
Ky rast është denoncuar në Agjencin Tatimore të Kosovës (ATK), me ç’rast zyrtari i ATK-së, ka thënë se nuk është ky rasti i vetëm që është raportuar për këtë barnatore.
“Nuk është rast i vetëm për rritjen e çmimeve në këtë barnatore kanë qenë edhe disa raste tjera që janë raportuar gjatë tërë ditës”, ka thënë zyrtari i ATK-së.
Rritja e çmimeve në vend është rritur tash e dy ditë pasi që koronavirusi u alarmua në vendet e rajonit dhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për masat mbrojtëse kundër koronavirusit.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Shoqata e Farmaceutike ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i trajtoj farmacistët si partnerë të rëndësishëm në përpjekjen globale për parandalimin e epidemisë së COVID-19.
“Me këtë rast edhe çmimet e produkteve farmaceutike ndryshojnë në varësi të çmimit të furnizimit momental. Përgjegjësitë dhe obligimet e farmacistëve në veçanti gjatë kësaj periudhe janë: Furnizimi i mjaftueshëm me pajisje mjekësore (maska, dorëza, mjete të tjera dezinfektuese) Informimi i drejtë dhe edukimi i qytetarëve mbi masat e parandalimit të përhapjes së infeksionit Konsultimet dhe referimet te mjeku kur është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.
Kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari ka hartuar planin jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar nga virusi Korona.
Prandaj bazuar në këtë plan inspektorët janë në monitorim të tregut edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve.