Kërkohet nga ZRRE-ja të shtyhet liberalizimi i tregut të energjisë

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të shtyjë liberalizimin e tregut të energjisë deri në krijimin e rrethanave të duhura për zbatim.

Përmes një komunikate për media, Oda Ekonomike Amerikane, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Këshilli i Investitorëve Evropian, theksojnë se përgjatë periudhës së kaluar dymbëdhjetë mujore nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë e cila do të lejonte zbatimin e duhur të akteve ligjore të cilat parashohin liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, respektivisht furnizimin e konsumatorëve të sipër cekur komercialë me energji elektrike me tarifa jo të rregulluara.

Reklama e sponzorizuar

“Pavarësisht se në Kosovë janë licencuar disa operatorë për furnizim me energji elektrike, duhet nënvizuar se vetëm njëri prej tyre ka kapacitetet që të funksionojë në praktikë si furnizues i mundësisë së fundit. Në rrethana të tilla të ofertës së kufizuar dhe detyrimit për të kaluar në treg të liberalizuar, konsumatorët komercialë do të ballafaqohen me situatë kur fuqia e tyre negociuese si konsumatorë është më e kufizuar, duke bërë që ata të paguajnë tarifa të energjisë elektrike, më të larta se mesatarja e tarifave të rregulluara. Në këto rrethana, ekziston po ashtu mundësi reale që operatori në fjalë të abuzojë me pozitën dominuese, duke cenuar kështu edhe parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, që është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, një situatë e tillë do të rëndonte mbi një numër konsumatorësh komercialë të sektorit prodhimit dhe rrjedhimisht do të ishte në kundërshtim me përpjekjet për fuqizimin e industrisë prodhuese të Kosovës dhe përmirësimin e bilancit tregtar, në një kohë kur ndërmarrjet prodhuese ballafaqohen me presion të shtuar konkurrues nga tregjet ndërkombëtare, si dhe me vështirësi të tjera ligjore e rregullative, që pamundësojnë fuqizimin e tyre.

Ata thonë se zbatimi i këtij vendimi do të përkeqësonte edhe ofertën e Kosovës për investitorët e jashtëm.

“Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Këshilli i Investitorëve Evropianë përsërisin shqetësimin e tyre se nga negociatat preliminare me furnitorin aktual vitin e kaluar ishte paralajmëruar mundësia e rritjes për 30-70% të çmimit të furnizimit me energji elektrike, gjë që i bie që një ndërmarrje e cila ka faturë vjetore në shumë prej 1 milionë eurosh, në kushte të ofertës së kufizuar dhe detyrimit për të kaluar në treg të liberalizuar, do të duhej të paguante një shumë shtesë prej 300,000-700,000 euro, ndërsa ata konsumatorë që nuk arrijnë të nënshkruajnë marrëveshje me furnizuesin mund të përballen me shtrenjtim të çmimit të energjisë deri në 200%. Kjo pa dyshim, është në kundërshtim me përfitimet e liberalizimit të tregut të energjisë”, thuhet tutje në komunikatën e dërguar mediave.

Ata tutje shtojnë se në rast se Zyra e Rregullatorit të Energjisë dështon të përmbushë njërin prej qëllimeve thelbësore në misionin e saj e që është mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve të energjisë elektrike, odat ekonomike i bëjnë thirrje komisionit përkatës parlamentar që mbikëqyr ZRRE-në, por edhe deputetëve të Republikës së Kosovës që të kërkojnë nga ky institucion rregullativ që të përmbahet nga vendimet që cenojnë përparësitë konkurruese të ndërmarrjeve prodhuese, vështirojnë operimin e sektorit privat dhe investitorëve të huaj në Republikën e Kosovës.