Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se personat të cilët kanë rezultuar negativ nga COVID-19 të karantinës së Qendrës së Studentëve në Prishtinë, do të lirohen në shtëpi për të qëndruar në vetkarantinë për dy javë.
Sipas njoftimit ata duhet të respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe IKSHPK-së, që të mos dalin nga shtëpitë e tyre gjatë kohës sa do të jenë nën mbikëqyrje.
Kurse personat që kanë rezultuar pozitiv në Covid-19 do të dërgohen në Klinikën Infektive.
“Ata që nuk manifestojë shenja të sëmundjes, do të nënshkruajnë një Deklaratë nën betim, me të cilën do të vetizolohet në shtëpi, nëse kanë kushte për ta bërë këtë, dhe do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në komunikatë, derisa njoftohet se ky veprim do të koordinohet edhe me strukturat lokale të pushtetit.
Ministria njofton se shkelja e udhëzimeve të MSh e IKSHPK-së për vetizolimin e obliguar do të dënohet sipas legjislacionit në fuqi për situatat emergjente të shëndetësisë publike.
“Në të njëjtën kohë, do të vazhdoj testimi edhe i personave që kanë mbushur mbi 2 javë në karantinën në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe lirimi nga karantina do të jetë gradual, i bazuar në rezultatet e testeve të bëra nga IKSHPK”, thuhet në njoftim.