Avokati i Popullit ka marrë një kërkesë për dërgimin e vendimit të Qeverisë në Gjykatën Kushtetuese

Avokati i Popullit po pret qe Qeveria në detyrë ta publikojë formalisht vendimin për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve në 90 minuta brenda ditës, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që të dalë pastaj me një qëndrim.

Pasi minitri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi për masat e reja që ai i ka ndërmarrë në lidhje me situatën e krijuar nga Covid 19, reaguan të gjitha partitë e juristë të shumtë se vendimi ishte antikushtues dhe cenon të drejtat dhe liritë për lëvizje të qytetarëve.

Në një përgjigje dhënë Gazetës Express, Institucioni i Avokatit të Popullit thotë se ka marrë një kërkesë individuale në lidhje me vendimin e Qeverisë.

Reklama e sponzorizuar

“Avokati i Popullit ka pranuar pyetje nga mediat, si dhe një kërkesë individuale, lidhur me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për

masat e reja në parandalimin e përhapjes së COVID-19”.

Sic thonë ky institucion, kur vendimi i Qeverisë të jetë formal, Avokati i Popullit do të njoftojë në lidhje me qendrimin e tij.

“Me këtë rast, Avokati i Popullit njofton se, me gjithë faktin se për vendimin e Qeverisë kanë

raportuar mediat, akoma nuk ka ndonjë vendim formal nga ana Qeverisë lidhur me masat e

paralajmëruara. Sidoqoftë, Avokati i Popullit është duke e përcjellë situatën dhe pret që Qeveria e Kosovës

edhe formalisht ta nxjerrë dhe ta shpallë vendimin dhe Avokati i Popullit do të njoftojë

opinionin publik lidhur me qëndrimet e tij”, thuhet tutje në përgjigje.

Ndryshe, avokati Dastid Pallaska, pas publikimit të masave nga minstri Vitia, ka thënë se Avokati i Popullit duhet të mbrojë të drejtat dhe liritë kushtetuese që, sipas tij, po shkelen nga vendimet e Qeverisë Kurti.

“Avokati i Popullit duhet të marrë përsipër mbrojtjen e të drejtave dhe lirive kushtetuese të qytetarëve, që po shkelen me vendimet qeveritare për masat kufizuese ndaj COVID-19 për shkak të konfliktit personal të Kryeministrit në ikje me Presidentin. Vendimi kundër-kushtetues i Ministrisë së Shëndetësisë duhet të sfidohet në Gjykatë Kushtetuese nga Avokati i Popullit. Ndryshe, vendi rrezikon të futet në një spirale vetë-shkatërruese që tejkalon edhe rrezikun nga pandemia”, ka shkruar të hënën Pallaska, pasi ministri njoftoi për masat e reja.

Më herët, Qeveria Kurti kishte marrë vendime që të kufizoheshin lëvizjet e qytetarët në disa orare të caktuara. Presidenti Hashim Thaci e dërgoi në Gjykata Kushtetuese këtë vendim, pasi sipas tij, vendimi i Kurtit përbënte shkelje, sepse këto kufizime mund të bëheshin, vetëm nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme në vend.

Gjykata e shpalli të pavlefshëm vendimin e Qeverisë në detyrë.