Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës sot ka shkarkuar nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv Shefqet Avdiajn dhe zyrtarin kryesor Financiar, Behxhet Maliqin, raporton Express.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Avdija përmes një komunikate drejtuar mediave.
“Njoftoj opinionin publik dhe të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës se sot Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike duke marrë vendim të paligjshëm dhe të pabazuar në asnjë fakt për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar, Behxhet Maliqi”, thuhet në komunikatë.
Ai ka paralajmëruar edhe padi për shkarkimin e tij.
“I paralajmëroj të gjithë të dërguarit politikë në këtë Bord dhe shefat e tyre të shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave, se ne do t’i padisim në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Reagimi i plotë:
Njoftoj opinionin publik dhe të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës se sot Bordi i përkohshëm i Drejtorëve të Postës së Kosovës ka bërë ndërhyrje politike duke marrë vendim të paligjshëm dhe të pabazuar në asnjë fakt për shkarkimin tim nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor Financiar, Behxhet Maliqi.
Përveç kësaj, rreth gjysmë ore pas fillimit të takimit, dhjetëra policë kanë ardhur para hyrjes së Postës dhe të tjera brenda Postës, pranë derës së zyrës ku mbahej takimi. Posta nuk ka ftuar policinë sepse nuk ka pasur asnjë arsye. Bordi dhe shefat e tyre kanë bërë veprim skandaloz me involvimin e Policisë brenda Postës duke shqetësuar punëtorët dhe duke dëmtuar imazhin e ndërmarrjes publike.
Unë jam emëruar në këtë pozitë më 14 tetor 2019 përmes konkursit të rregullt publik dhe deri më sot as ky Bord as ndonjë organ apo institucion tjetër nuk ka gjetur as nuk mund të gjej asnjë veprim të dëmshëm ose joligjor, përveç punës përballë sfidave të mëdha me të cilat jemi përballur që nga dita e emërimit.
Vështirësitë financiare të Postës së Kosovës datojnë që nga ndarja e Postës nga Telekomi i Kosovës (Vala) në vitin 2012.
Ndërkaq, vitin 2019 e kemi përmbyllur me përformancë pozitive, përkatësisht me rritje prej 4 për qind, të të hyrave. Prejse jam zgjedhur në këtë pozitë nuk është bërë asnjë udhëtim zyrtar, nuk ka pasur asnjë shpenzim nga ana ime as nga pjesa tjetër e menaxhmentit.
Po ashtu, nuk ka pasur asnjë punësim, kontratë mbi vepër, etj, por ka pasur ulje të mëtejme të çdo shpenzimi të mundshëm operativ.
Përveç kësaj, ka pasur ngritje të vazhdueshme të të hyrave në Postë, në të gjitha kategoritë dhe të gjitha këto fakte i dinë edhe Bordi i përkohshëm. Paraqitja e virusit COVID-19 në Kosovë ka ndikuar edhe në Postë, por ne në asnjë moment nuk e kemi ndërprerë punën. Përkundrazi, me vetëmohim e sakrificë të të gjithë punëtorëve të Postës kemi arritur të ofrojmë shërbime në tërë Kosovën, edhe në qytete e fshatra në karantinë. E kemi bërë shpërndarjen rekorde të asistencës sociale për mbi 20 mijë përfitues pa asnjë incident të vetëm për çka na ka falënderuar edhe pushteti aktual.
Që nga marrja e detyrës, së bashku me menaxhmentin kemi hartuar strategji dhe plane konkrete, shumë lehtë te realizueshme, që do t’i mundësonin Postës qëndrueshmëri afatgjate financiare dhe zhvillim në të gjithë sektorët. Strategjia dhe plani i janë dorëzuar edhe kësaj Qeverie dhe ne kemi pritur që të dërguarit e tyre politik përmes Bordit të përkohshëm të kryejnë punën e tyre duke aprovuar masat që do ta bënin Postën ndërmarrje publike profitabile.
Mirëpo, kjo Qeveri dhe veglat e saj në këtë Bord vendosën të keqpërdorin fuqinë e pushtetit. Në takimin e parë me këtë Bord ata pa fije turpi erdhën me vendime të përgatitura në kuzhina partiake propagandistike.
Duke marrë parasysh këtë, ne nuk mund ta cilësojmë ndryshe ndërhyrjen e sotme arbitrare, përveç se ky Bord ka vepruar me urdhra politikë e partiak duke mos u brengosur për ligje e procedura ligjore për qëllime propagandistike të rreme dhe përpjekje për përfitime të ulëta politike.
Ky Bord vasalësh tregoi se ka për qëllim të vetëm dëmtimin e Postës së Kosovës dhe punëtorët e saj.
I paralajmëroj të gjithë të dërguarit politikë në këtë Bord dhe shefat e tyre të shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave, se ne do t’i padisim në institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës.
Shfrytëzoj rastin të falënderoj nga zemra të gjithë punëtorët dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mi në Postën e Kosovës me të cilët u përballëm me sfida të ndryshme por dolëm faqebardhë. Punëtorëve ju them se mesazhet tuaja që të mos pranojmë kurrfarë bashkëpunimi me të deleguarit politik të masave të dhunshme nuk i pranuam për hir të situatës së rëndë në të cilën ndodhet populli dhe shteti ynë.
Me respekt,
Dr. Sc. Shefqet Avdija, Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës SH.A.
Behxhet Maliqi, Zyrtar Kryesor Financiar i Postës së Kosovës SH.A.