Gjermania mendon t’ua japë të drejtën punëtorëve të punojnë nga shtëpia edhe pas pandemisë

Ministri i Punës i Gjermanisë, Hubertus Heil, po punon në një ligj për t’u dhënë punëtorëve të drejtën që të punojnë nga shtëpia edhe pas mbarimit të krizës së koronavirusit.

“Çdonjëri që dëshiron dhe të cilit vendi i punës ia bënë të mundur, duhet të jetë në gjendje të punojë nga shtëpia – edhe pasi pandemia e koronavirusit të mbarojë”, ka thënë Heil për “Bild am Sonntag”.

Me shkollat e mbyllura dhe shumë kompani duke inkurajuar punëtorët të punojnë nga shtëpia për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, vlerësohet se rreth 25 për qind të gjermanëve janë duke punuar nga shtëpia, që është një rritje nga 12 për qind sa është shifra normalisht.

Reklama e sponzorizuar

Heil, që është i Partisë Social Demokrate (SPD), ka thënë se do të paraqesë një ligj më vonë këtë vit për të lejuar të drejtën e punës nga shtëpia, ku punëtorët do të mund të punonin gjatë gjithë kohës nga shtëpia apo për një apo dy ditë në javë, transmeton KOHA.

Ministri i Financave, Olaf Scholz, që po ashtu është nga SPD-ja, ka përkrahur këtë ide.

“Javët e kaluara kanë treguar se sa shumë është e mundur nga zyra e shtëpisë. Kjo është një arritje e vërtetë, që nuk duhet braktisur”, ka thënë Scholz për “Bild am Sonntag”.

Mirëpo, Asociacioni i Punëdhënësve Gjermanë ka refuzuar këtë ide, duke thënë për “Funke” se ekonomisë së rënduar nuk i duhen më tepër rregulla. Katrin Goering-Eckardt, lidere parlamentare e Partisë së Gjelbër, ka përkrahur të drejtën për të punuar nga shtëpia, por ka thënë se mund të funksionojë vetëm nëse qeveria garanton internet të shpejtësisë së lartë për të gjithë.

“Puna nga shtëpia duhet gjithmonë të jetë vullnetare dhe duhet të ketë rregulla detyruese. Asnjëri nuk duhet të detyrohet të bëjë këtë dhe zyra nga shtëpia nuk duhet të qojë që puna të bëhet pa kufi”, ka thënë Goering-Eckardt.