Gjermania thotë se e ka nën kontroll koronavirusin

Përhapja e koronavirusit në Gjermani po menaxhohet pasi numri i pacientëve të shëruar ka qenë më i lartë se numri i infeksioneve të reja këtë javë, ka thënë ministri i Shëndetësisë Jens Spahn të premten.

Kancelarja Angela Merkel ka thënë se Gjermania do të ndërmarrë hapa për lehtësim të masave të izolimit duke rihapur disa dyqane javën e ardhshme dhe shkollat me datën 4 maj.

“Shpërthimi i virusit – sikur sot – është i kontrollueshëm dhe po menaxhohet mjaft mirë”, ka thënë Spahn në një konferencë për shtyp, duke shtuar se sistemi i kujdesit shëndetësor “nuk ishte i mbingarkuar deri më tani”.

Reklama e sponzorizuar

Spahn tha se aplikacioni i gjurmimit të kontaktit për koronavirus do të jetë gati për gjermanët që ta shkarkojnë dhe përdorin në telefonat e tyre për tre deri në katër javë. Drejtuesit e qeverisë federale dhe shtetërore gjermane thanë të mërkurën se ata do të mbështesin përdorimin e aplikacionit të gjurmimit të kontaktit, kur ai të jetë gati, në mënyrë që njerëzit të mësojnë shpejt kur ata kanë qenë të ekspozuar ndaj një personi të infektuar.

Zhvilluesit e aplikacionit janë duke punuar shumë për të siguruar që mbrojtja e të dhënave të jetë “sa më perfektë që të jetë e mundur”, ka thënë Spahn për ARD.

Burime të njohura mbi këtë çështje thonë se aplikacioni i gjurmimit të kontaktit i institutit shëndetësor Robert Koch tashmë është gati dhe po testohet, por lansimi i tij do të koordinohet me masat e Gjermanisë për të lehtësuar kufizimet e lëvizjes.

Gjermania radhitet e pesta sipas numrit të infeksioneve me COVID-19 pas Shteteve të Bashkuara, Spanjës, Italisë dhe Francës me gati 134,000 të infektuar duke mbajtur një numër relativisht të ulët prej 4000 viktimave.