Hyjnë në fuqi masat e reja, këto janë intervalet e lejimit të lëvizjes

Ministria e Shëndetësisë duke respektuar dispozitat ligjore dhe frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të rekomandimeve të IKShPK-së, do të marrë masat e paralajmëruara me vendime të veçanta për secilën komunë.

Sot, nga data 15 prill (e mërkure), ora 06:00, me qëllim të mbrojtjes së jetës së banorëve në komunat e Republikës së Kosovës me vendime të veçanta, hyjnë në fuqi masat e reja të qarkullimit.

Vendimet merren specifikisht për komunat e rrezikuara dhe për komunat e karantinuara. Këto masa kanë për qëllimi “parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes ngjitëse COVID-19”.

Reklama e sponzorizuar

Këto vendime hyjnë në zbatim prej datës 15 prill, ora 06:00.

Sipas vendimeve lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës.

Për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë apo institucioneve përkatëse, mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet e parapara, transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit, qarkullimi i lirë për institucionet vetëm për të kryer detyrat zyrtare në listën e bashkëngjitur në Aneksin 2 dhe 3 të këtyre vendimeve. Për të qarkulluar sipas kushteve të parapara në vendimet, duhet deklarim-konfirmimi nga ATK sistemi EDI.

Në vendime citohen edhe mundësitë e lëvizjes lidhur me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve.

Në vendime parash ihen edhe sanksionet financiare për kundërvajtje administrative për personat fizikë dhe personat juridikë.

Këto masa vlejnë deri më 4 maj, 2020.

Në varësi të rezultateve, vendimet do të rishqyrtohet jo më vonë se më 30 prill, 2020, në konsultim me IKShPK-në.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar edhe intervalet e lejimit të lëvizjes.