Karagjozllëku i bankave komerciale të Kosovës

Pa e ekzagjeruar fare, bankat në Kosovë këto ditë kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë – nuk kanë ndjenjë fare për krizën, për pasoja të përmasave shqetësuese në ekonominë e Kosovës, për thellimin e varfërisë së këtushme dhe as që duan të dëgjojnë për rekomandimet dhe për kërkesat e Qeverisë për të prolonguar për disa kohë kthimin e kredive nga kredimarrësit e shumtë kosovarë.

Shkruan: Mehmet Gjata

Bankat komerciale të Kosovës, së paku shumica prej tyre, edhe më tutje, në kohën e krizës së thellë të krijuar nga pandemia e rëndë, vazhdojnë të sillen (lexo – të bëjnë biznes) sikur të ishin në vitet e para pas çlirimit të Kosovës, kur kishin vërshuar paratë nga të gjitha anët dhe nuk dihej çka të bëhej me to.

Reklama e sponzorizuar

Pa e ekzagjeruar fare – bankat në Kosovë këto ditë kanë treguar fytyrën e tyre të vërtetë – nuk kanë ndjenjë fare për krizën, për pasoja të përmasave shqetësuese në ekonominë e Kosovës, për thellimin e varfërisë së këtushme dhe as që duan të dëgjojnë për rekomandimet dhe për kërkesat e Qeverisë për të prolonguar për disa kohë kthimin e kredive nga kredimarrësit e shumtë kosovarë.

Thënë shkurt, sistemi bankar i Kosovës edhe në këtë kohë krize të frikshme po sillet si një shtet në shtet, duke vënë në plan të parë profitin e vetëm profitin dhe, ç’është më keq, maksimizimin e këtij profiti pa zgjedhur mjete për ta arritur këtë dhe duke aplikuar jo pak praktika jolegale.

BQK-ja, si gjithmonë, deri më tash po tregohet e pafuqishme për ta përmbushur misionin e saj, pra për të kërkuar dhe për të ndikuar te bankat për t’u sjellë në përputhje me krizën e madhe, karshi klientelës së shumtë, sidomos karshi kërkesave të qytetarëve, që kanë të bëjnë me prolongimin për ca kohë të kredive në këtë kohë pandemie.

Prandaj ministri Besnik Bislimi, jo pa shkas, në një paraqitje publike këto ditë u bëri shumë vërejtje bankave kosovare, duke vlerësuar se ato kanë vepruar në kundërshtim me atë që ishin dakorduar përfaqësuesit e tyre me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk është koha që bankat të maksimizojnë përfitimet e tyre. “Ka një dakordim nga takimi i Qeverisë me përfaqësuesit e sistemit bankar, por në terren po ndodh e kundërta e asaj”, tha ministri Bislimi.

Se po ndodh tërësisht ndryshe në terren, pra në ambientet bankare, tregon rrëfimi i një klienti të dy bankave të njohura te ne.

Klienti, që kërkon të mbetet anonim, thotë se në sportelet e “Raiffeisen Bank”-ës dhe të “TEB Bank”-ës i kanë thënë ta prolongojë afatin e kredisë për tre muaj, por vetëm me kamatë ndëshkuese. Ndryshe nuk ka mundësi. E tëra që ofrojnë si përfitime këto banka, sipas këtij klienti, është mosfutja në listën e zezë të klientit kredimarrës. Këto kondita të afruara nga bankat kosovare janë fare të pafavorshme dhe nuk ndihmojnë askënd nga kredimarrësit. Këto kushte janë thuajse të njëjta me ato që kanë qenë rëndom dhe gjithnjë në këto vite.

Në anën tjetër, ministri Bislimi publikisht deklaron: “Jemi dakorduar që bankat t’i shtyjnë pagesat e atyre bizneseve dhe të individëve që janë në vështirësi pa aplikuar asnjë kosto. Ajo që ka ndodhur në terren ka qenë e kundërta, e kanë shfrytëzuar bankat t’i rrisin profitet e tyre. Të gjitha kanë seksionet për komponentë socialë, po kanë dështuar duke i aplikuar disa praktika jo fort legale. Banka Qendrore nuk u ka dhënë diskrecion bankave”, ka shpjeguar ai, duke shtuar se ka nevojë për ndërhyrje me agresive nga BQK-ja.

BQK-ja, si korrektore e rregullatore e sistemit bankar të Kosovës, në këto momente kur bankat nuk janë në nivel të përgjegjësisë dhe kur po refuzojnë të ndihmojnë në këtë fazë krize, si klientët e vet, ashtu edhe ekonominë, gjithsesi duhet të jetë më këmbëngulëse në realizimin e kërkesave të adresuara te bankat. Nuk duhet mbështetur vetëm në besimin se bankat ndoshta një ditë do të reflektojnë – do të zhvillojnë biznesin e tyre në pajtim me rregullat që imponon kriza e thellë.

Guvernatori, në radhë të parë, e ka për detyrë dhe për obligim të kërkojë zbatimin e rregullave elementare bankare në kohën e krizës së rëndë, që e ka kapluar edhe Kosovën nga pandemia.

Bankat kosovare nuk mund të sillen më si karagjozë, sikur këtu nuk po ndodh asgjë. Për fitimet enorme duhet pritur ditë të mira.