Pas shpalljes së disa komunave në zona në karantinë nga Ministria e Shëndetësisë, është krijuar paqartësi për lirinë e lëvizjes së punëtorëve dhe mallrave në këto zona. Për këtë përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që të krijohen korridore të lira për qarkullim për mallra dhe për punëtorë. Ato njëherësh kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe ministritë e linjës që të sqarojnë sa më shpejt paqartësitë për lirinë e lëvizjes.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka bërë të ditur se malli i prodhuar në Gjilan nuk po mund të transportohet në Pejë, për shkak se mallrat nuk mund të kalojnë transit në Ferizaj. Kjo pasi Ferizaj dy ditë më parë është shpallur zonë në karantinë.
Zonë në karantinë janë edhe Prishtina e Prizreni. Rukiqi ka thënë se edhe kompani nga Ferizaj nuk mund të nisin eksportin drejt Gjermanisë, pasi që kamionët nuk lejohen të dalin nga Ferizaj, raporton KOHA.
Sipas tij, rrjetet e marketeve që janë në Prishtinë, furnizimet i bëjnë nga depot që kryesisht janë në hyrje të Prishtinës, por territorialisht janë në Komunat e Lipjanit dhe Graçanicës, prandaj e kanë të pamundshme të fusin mallra në Prishtinë.
“Një fabrikë që është në hyrje të Prishtinës, por është pjesë e territorit të Komunës së Lipjanit, nuk e ka filluar prodhimin fare, pasi që inxhinierin kryesor e ka nga Prishtina dhe i njëjti nuk është lejuar të dalë nga Prishtina”, ka thënë Rukiqi.
Ka kërkuar nga institucionet që të sjellin vendim të ri për këta punonjës. “BE-ja dhe CEGTA kanë krijuar korridore të lira për qarkullim të mallrave. Të njëjtat duhet të krijohen në Kosovë”, ka thënë Rukiqi.