Konfirmohen 19 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Më shumë se dyfishim i numrit të të prekurve në 24 orë, të konfirmuar pozitivë për koronavirus në Shqipëri. Ndërkohë që një ditë më parë u konfirmuan vetëm 8 raste të reja, sot shifra e rasteve në 24 orët e fundit rezultoi 19.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se dje janë testuar 252 persona të dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor.

“Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor”- njoftoi MSH.

Reklama e sponzorizuar

Sipas saj, deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste.

“Edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarësisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar”- theksoi zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve për respektim të distancimit social dhe të evitojnë me çdo kusht vizitat nëpër të afërm për çfarëdo arsye.

Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.

Një tjetër pacient ka ndërruar jetë i prekur nga koronavirusi në Shqipëri.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se pacienti 90 vjeçar ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Shërbimin Infektiv, me gjithë punën e bërë nga mjekët për mjekimin e tij.

Sipas MSH, shkon kështu në 25 numri i pacientëve që kanë humbur betejën me koronavirusin.