Numri i të papunëve në Kosovë thuhet se do të rritet si pasojë e situatës së krijuar nga përhapja e Coronavirusit. Shumë biznese në rast se nuk do të kenë përkrahje nga shtetit rrezikojnë të mbyllen, e shumë punëtorë të mbesin pa punë.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, në një intervistë për Front Online, tha se me një Pako të Dytë Emergjente që do ta miraton Qeveria e Kosovës, bizneset mund ta përballojnë krizën me të cilën po përballën këto ditë.
Krasniqi tha se në Pakon e Dytë, Qeveria duhet ta parasheh pagën minimale për punëtorët e sektorit privat deri në 220 euro në muaj dhe t’iu ipet kredi pa kamatë bizneseve në mënyrë që pas përfundimit të pandemisë ato të operojnë pa pengesa.
“Pako e Dytë, Qeveria do të duhet të bëjë zvogëlimin e pagave për institucionet shtetërore, të merren nga Bashkimi Evropian që veçse ka ndarë një shumë, pastaj do të duhet të jetë që punëtorët deri në fillimin e punës të marrin një pagë minimale deri në 220 euro të gjithë qoftë në kompani private apo shtetërore, pastaj që të mbështeten bizneset për shpenzime operacionale, pasi që biznesi përveç pagave ka edhe shpenzime tjera që i duhet për të mbijetuar, të jepen kredi pa kamatë për një kohë të caktuar që derisa bizneset ta marrin vetën”, tha Krasniqi për Front Online.
Ai foli edhe për Pakon të cilën ditë më parë e ka miratuar Qeveria e Kosovës.
Krasniqi tha se si OAK i kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me këtë pako dhe kanë kërkuar që pagat në sektorin publik të zvogëlohen për 50 për qind në mënyrë që të sigurohen mjetet për pagat e sektorit privat.
“Kemi kërkuar nga Qeveria që pagat për punëtorët në institucione publike të zvogëlohen për 50 % dhe ajo shumë t’iu dedikohet punëtoreve në kompani private duke marrë parasysh që kemi rreth 300 mijë të punësuar në kompani private dhe shuma prej 42 milionë euro nuk mjafton as për dy muaj”, u shpreh ai për Front Online.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, tha se bizneset në këtë kohë kanë pësuar humbje të mëdha.
Sipas tij, gjysma e punëtorëve në sektorin privat janë duke qëndruar në shtëpi.
“Tani më shumë se 50 përqind e punëtorëve që janë të punësuar janë të shtëpi. Ne kemi kërkuar nga Qeveria që të kërkon nga bizneset që të mos e largojnë asnjë punëtorë nga puna dhe në këtë kohë shteti t’i paguan punëtorët që janë në shtëpi ”,tha ai.
Ai tha se ekziston rrezik i madh që një pjesë e këtyre punëtorëve të mbesin pa punë, dhe për këtë arsye nevojitet një zgjidhje e Qeverisë.
“Nëse ndonjë punëtorë largohet nga puna ose rrezikojnë të marrin paga më të ulta dhe të mbesin pa punë, duke marrë parasysh se Kosova ka shumë të papunë, ekziston rreziku që të rritet papunësia. Për këtë do të duhet një zgjidhje-ndërhyrje e Qeverisë në këtë drejtim”, tha Krasniqi për Front Online.
Krasniqi foli edhe për investimet e huaj në Kosovës.
Ai tha se Qeveritë e deritanishme nuk kanë krijuar kushte për ardhjen e investitorëve.
Krasniqi tha se Ligji për Investime Strategjike nuk është bërë në bashkëpunim me bizneset dhe se edhe pas dy vjetëve që është miratuar nuk ka gjetur zbatim.
“Investitorët e huaj ka vite që nuk janë duke ardhur në Kosovë. Largimi nuk po ndodh tani si pasojë e Coronavirusit, largimi ka ndodhur më herët si rezultat i pamundësisë së qeverive që të krijojnë oferta për vizitorë edhe përkundër që ligji ka kaluar në Kuvend para dy viteve. Ai nuk ka qenë i implementushëm pasi që nuk është bërë në bashkëpunim me bizneset, por është bërë sa për sy e faqe”, tha Krasniqi për Front Online.