Kroacia po vazhdon ta përkrahë liberalizimin e vizave për Kosovën, ka thënë ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Daniela Barishiq.
Ajo të premten është takuar me ministrin në detyrë të Integrimit Evropian, Blerim Rekën, i cili teksa e ka falëndëruar bllokun evropian për ndihmën e parë emergjente prej pesë milionë eurosh në përballje me pandeminë e koronavirusit, ka kërkuar që presidenca kroate e Bashkimit Evropian ta përkrahë dhe ta shtyjë përpara edhe liberalizimin e vizave, bëhet e ditur përmes njoftimit për shtyp të ministrisë së Integrimit, transmeton KOHA.
Kroacia aktualisht mban presidencën rotative të Bashkimit Evropian.
“Ministri në detyrë Reka e njoftoi Ambasadoren Barishiq se edhe në këto rrethana pandemie, Qeveria në detyrë dhe Ministria për Integrim Evropian, vazhdojnë përkushtimin e tyre në jetësimin e reformave të agjendës evropiane. Si dëshmi, ai njoftoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, pesë çështje të miratuara nga Qeveria, ishin pikërisht ato që lidhen me Bashkimin Evropian, siç janë: nisma për marrëveshjen IPA 2019 (pjesa e dytë), pastaj për IPA 2020, si dhe marrëveshjet trepalëshe financiare IPA II në mes të: Kosovës, BE dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi”, shkruan në njoftim.,