Kush janë 19 zyrtarët ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë për “faljen e hidrocentraleve”

Katër ish-ministra të qeverisë “Thaçi 2” do të përballen me drejtësinë në rastin e njohur si “falja e hidrocentraleve”.

E kjo katër vjet pas hulumtimit të “Kohës Ditore”, i cili kishte zbuluar se gjatë privatizimit të rrjetit të distribuimit të KEK-ut me çmim rreth 26 milionë euro ishin “falur” katër hidrocentrale, çmimi i të cilave nuk ishte kalkuluar në çmimin e plotë të privatizimit, raporton KOHA.

Katër ish-ministra janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale: Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi e Nenad Rashiq.

Reklama e sponzorizuar

Pjesë e aktakuzës është edhe Lorik Fejzullahu nga Ministria e Ekonomisë.

Hidrocentralet të cilat dyshohet se i janë falur konsercioumit turk janë ai i Radavcit, Lumbardhit, hidrocentrali në Burim dhe ai në Dikancë.

Dëmi i shkaktuar dyshohet të jetë më shumë se 12 milionë euro.

Aktakuza për korrupsion përfshin edhe ish-drejtorin e KEK-ut, Arben Gjuka, Fëllenza Hoxhën, menaxhere në projektin për privatizim, Besnik Hazirin, koordinator për shthurje të KEK-ut, si dhe Krenar Bujupin, anëtar i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Në aktakuzë, siç ka mësuar KOHA, të përfshirë janë edhe Bordi i drejtorëve të KEK-ut të atëhershëm, me përbërje të kryesuesit Fadil Çitaku, dhe katër anëtarë të Bordit, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Agim Nika.

Pjesë e aktakuzës janë edhe anëtarët e Kompanisë kosovare për distribuim dhe furnizim të energjisë. Tre prej tyre janë: Naim Hyseni, Burim Basha dhe Gani Jashari.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë Speciale, Korporata Ndërkombëtare Financiare (IFC) u ka rekomanduar institucioneve që hidrocentralet të mbesin në pronësi të KEK-ut.

“Të njëjtat asete kanë qenë nën koncesion si dhe rekomandimi i IFC-së ka qenë që të njëjtat të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me këto veprime të njëjtit kanë dëmtuar interesat e kompanisë KEK si dhe aksionarit Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet nga Prokuroria Speciale.

Sipas aktakuzës, këto hidrocentrale janë të dhëna me koncesion para se t’i jepeshin kompanisë “Limak-Calik”, pra qiraja për këto vite jashtëligjshëm i është paguar kompanisë privatizuese, në vlerë prej 1 milion e 54 mijë eurosh.

“Vetëm për qira mujore për periudhat e mbetura të koncesionimit në shumën prej 1,054,000.00 euro, sepse e njëjta duhet t’i paguhet KEK-ut, e jo kompanisë privatizuese, si dhe pas përfundimit të koncesionimit, të njëjtat ngelin në pronësi të kompanisë privatizuese”, thuhet në aktakuzë.

Ky hetim ka nisur para rreth 4 vjetësh, e pjesë e tij fillimisht ishin edhe ish-ministrat Bedri Hamza e Fadil Ismajli, por ata ishin futur gabimisht në këtë hetim, pasi në atë kohë asnjëri nga ta nuk ka qenë ministër.