Ministri në detyrë Reka kërkoi nga nënkryetari i Parlamentit Evropian mbështetje për heqjen e vizave

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, z. Blerim Reka, sot ka realizuar një bisedë telefonike me Nën-Kryetarin e Parlamentit Evropian Rainner Wieland.

Në komunikatën e kësaj ministrie bëhet e ditur se Ministri në detyrë Reka ka kërkuar nga nënkryetari i PE, Wieland dhe eurodeputetët tjerë që të bindin shtetet hezituese për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, raporton Gazeta Express.

“Gjatë bisedës u diskutua poashtu për mbështetjen e z.Wieland dhe të parlamentarëve evropian në rrugën evropiane të Kosovës, me theks të veçantë  për liberalizimin e vizave. Në këtë bisedë, Ministri në detyrë Reka kërkoi nga Nën-Kryetari i Parlamentit Evropian z. Wieland, që ai dhe miqtë tjerë euro-parlamentarë të vazhdojnë të jenë zëri i Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm të BE-së, sidomos tash kur nevojitet bindja e fundit e shteteve hezituese për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Reklama e sponzorizuar

Nënkryetari i Parlamentit Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për Kosovën në veçanti për liberalizimin e vizave.

 “Në fund, z. Wieland nga ana e tij ri-konfirmoi mbështetjen e tij dhe të parlamentarëve evropian për Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave, si dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë, duke premtuar përkrahjen e mëtejme të Kosovës në procesin integrues Evropian”, thuhet në komunikatë.