Ministrja në detyrë e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se Grupi Regjional i Evropës Kontinentale ka miratuar marrëveshjen e re të KOSTT dhe ENTSO-E.
Ajo ka shtuar se me këtë Kosova dhe KOSTT-i e fitojnë pavarësinë energjetike, transmeton Koha.
“Sot më 20 prill 2020, në ora 17:00, ka përfunduar procesi i votimit për marrëveshjen e re të kyçjes KOSTT- ENTSO –E. Marrëveshja e Re është miratuar nga RGCE (Grupi Regjional i Evropës Kontinentale). Me votimin e sotëm dhe nënshkrimin që do të pasojë, të marrëveshjes së re të kyçjes ndërmjet KOSTT dhe ENTSO-E, KOSTT dhe Republika e Kosovës fitojnë pavarësinë energjetike, për të cilën është punuar disa vite me radhë”, ka shkruar Hajdari.
Ajo ka falënderuar vendet mike që kanë ndihmuar në këtë proces.
“Me këtë rast falënderojmë Gjermaninë me partnerët, SHBA dhe vendet tjera mike. Njëherësh përgëzojmë KOSTT për këtë arritje të jashtëzakonshme! Urime Kosovë në këtë kohë të vështirë me pandeminë COVID -19 por me suksese historike”, ka shkruar ajo.