Mustafa: Hoti si kryeministër do të bashkëpunojë me Vetëvendosjen

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, zyrtarisht e konfirmoi se Avdullah Hoti është kandidat për kryeministër.

Mustafa tha se fillimisht e gjithë kërkesa e LDK-së ka qenë që ai, pra Mustafa, ta marrë përgjegjësinë për të krijuar qeverinë.

“Njoftova që nuk jam në gjendje ta marrë këtë përgjegjësi, jo pse nuk dua, por më duhet të kujdesem për shëndetin tim. Për shkak të disa problemeve fizike që kam, luta Kryesinë të kenë mirëkuptim ndaj meje”, tha Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Mustafa tha se për mandatar janë diskutuar emrat e Avdullah Hotit, Kujtim Shalës, Lutfzi Haziri etj, derisa për Hotin është vendosur përfundimisht.

“Me vullnetin e të gjithëve, Hoti është propozuar nga Kryesia për kryeministër në qeverinë e Kosovës, që bashkë me subjektet tjera parlamentare do t’ia prezantojmë Kuvendit”, tha ai,

Vlerësoj, tha Mustafa, që “Hoti mund ta bëjë me përgjegjësinë më të madhe”.

“Mund të krijojë komunikim me të gjitha subjektet parlamentare dhe me ndërkombëtarët”, tha Hoti.

Mustafa tha se “do t’i përmbahemi parimeve, s’do të kemi njerëz me probleme me ligjin”.

“Është privilegj për Hotin të jetë kryeministër, por edhe sakrificë”, tha tutje Mustafa.

Mustafa tha se Hoti do të bashkëpunojë edhe me Vetëvendosjen.

“S’do ti hyjmë me dhunë qeverisë, s’do të punojmë me inate, s’do të nxjerrim askënd”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, foli edhe për mënyrën e formulimit të ministrive.

Ai tha se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti, do t’i analizojë dhe do të bëjë ndryshime të mundshme.

“S’jemi të interesuar të bëjmë më shumë qeveri sesa që janë atë aktuale. Por shumë emra në një ministri, e ndryshime të tilla mund të bëjmë”, tha Mustafa.

Image